Ademi: Liria rikthehet në elitën e futbollit tonë, pasi kishte fatin në anën e saj

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, e ka uruar Lirinë për rikthimin në Superligën e Kosovës.

Ademi potencoi se ky një moment krenarie për të gjithë tifozët e Lirisë dhe qytetarët e Prizrenit.

“Pas katër vjetësh skuadra me traditë të madhe, Liria rikthehet në elitën e futbollit tonë, pasi kishte fatin në anën e saj në serinë e penalltive në përballje me skuadrën e deritashme të elitës, Ferizajn, në ndeshjen e barazhit”, shkroi Ademi.

“Kjo është një arritje e madhe për skuadrën dhe një moment krenarie për të gjithë tifozët e Lirisë dhe qytetarët e Prizrenit”.

“Përgëzoj futbollistët, stafin e trajnerëve, drejtuesit e klubit dhe të gjithë ata që kanë punuar me vendosmëri për ta arritur këtë objektiv. Kjo arritje është shpërblim i merituar i punës dhe përkushtimit tuaj të vazhdueshëm”.

“Tifozët “Arpaxhikët” dhe qytetarët prizrenas në përgjithësi, duhet të ndjehen krenarë për përkrahjen e tyre dhe për energjinë që i dhanë skuadrës gjatë gjithë sezonit”.

Ademi, potencoi se ndeshja e sotme ishte shembull për angazhim e fair-play.

“Ndeshja e sotme e barazhit për Superligë ishte shembull për angazhim e fair-play të skuadrave dhe për atmosferë të shkëlqyeshme në tribuna, por edhe për organizim të mirëfilltë”.

“Me ndeshje dhe organizime të tilla futbolli ynë pashmangshëm do ta vazhdojë rritjen e tij”.

“Uroj që FC Ferizaj të vazhdojë me këtë organizim të mirë dhe me lojëra të tilla cilësore edhe në edicionin e ardhshëm, në mënyrë që të rikthehet shpejt në Superligë”.

“Krahas FC Liria, sot, përgëzoj edhe FC Feronikeli 74 dhe KF Fushë Kosova, që po ashtu në edicionin e ardhshëm do të jenë pjesë e Superligës, me shpresë se ato do t’i japin ngjyra spektakli elitës sonë dhe do ta bëjnë atë edhe më cilësore”. /Kosova.info/

Go to TOP