Ademi: Asnjëherë s’jam dënuar nga UEFA
Kryetari aktual i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se asnjëherë nuk ka pasur asnjë dënim nga shtëpia e futbollit, UEFA, ndaj tij.
Për një dokument që qarkulloi nëpër media, Ademi tha se ai ishte veç draft-vendim i Komisionit Disiplinor të UEFA-s, i vitit 2020, i cili sipas tij, kishte propozuar për të marrë një vendim ndaj tij.
“Derisa në vitin 2020 rasti im personal ishte në procedurë gjyqësore në Kosovë, ishte kërkuar nga UEFA që të marrë masa me pretekstin se kishte dënim në Kosovë ndaj meje”.

“Pas marrjes së vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, UEFA i ka ndalur të gjitha procedurat disiplinore dhe asnjëherë nuk ka pasur vendim të plotfuqishëm nga UEFA ndaj meje”, ka shkruar Ademi në llogarinë e tij në Facebook.
Tutje, ai tha se nëse do të ishte e kundërta, ai s’do të ishte në pozitën e kryetarit të FFK-së në këto dy vjet.

“Fatkeqësisht, kjo është edhe një përpjekje e radhës që tentohet të ndryshohet vullneti i anëtarëve të Kuvendit të FFK-së me të pavërteta dhe dezinformata”.
“E vërteta është se anëtarët e FFK-së, klubet me delegatët e tyre, e njohin të vërtetën dhe punën e deritashme timen në FFK dhe ata do të jenë të vetmit që do të vendosin për FFK-në dhe askush tjetër”, ka shkruar Ademi.
