Abuzimi me 26 milionë €, për 260 mijë studentë, shumica “veteran” të rrejshëm si ushtarët e pasluftës!
Shkruan: Idriz MORINA
Albin Kurti, edhe në një gjë si duket pat mbetur pa i imituar disa nga qeveritë më të korruptuara në të kaluarën. Atë që nuk mundi ta bëjë, si Hashimi e Ramushi me manipulimin e listave të veteranëve, ia doli ta bëjë me “listat e studentëve”!
Pyetja e ngjashme legjitime, pavarësisht që dëmi buxhetor është më i vogël se ai për veteranët, është a ndodhi abuzimi!
Kjo mënyrë e dhënies së buxhetit shtetëror në mënyrë të pakontrolluar të shpenzimeve shtetërore, e ka ngjashëmërinë dhe modelin tek qeverisja Thaçi dhe ajo Haradinaj.
Sipas mendimit dominues ishte, që listat e veteranëve u rritën me qëllim që ky shpërblim t’ju kthehej në përkrahje dhe votë besnike në procese zgjedhore etj.
Ky qëllim është i qartë edhe në rastin me lëmoshën për studentët. Madje, ky e bën në dy hapa. E merr vendimin 5 ditë para balotazhit, dhe nuk ia jep paratë studentëve për një muaj, por ia shpërndanë tri ditë para votimeve.
Herën e parë e bën që të tërheq vota në garimin e rregullt, dhe ato i mban si karrem deri në balotazh, për t’i blerë votat për garën e fundit, dhe që këtë e projekton me efekt psikologjik.
E para sikur të jepeshin para balotazhit, efekti i atyre parave mund të ishte harruar. Kështu, që për gati një muaj e krijon një lloj stresi dhe pasigurie, jo më vetëm tek studentët, por tek studentët “veteranë”, se nëse do të mund t’i humbin, qysh dhe pse.
Ndërsa, një abuzim tjetër e bën duke provuar t’i dërgojë 250 mijë mesazhe, private, pas asnjë të drejtë, duke krijuar një abuzim shtesë në të drejtat e shpenzimeve si u.d. kryeministër.
Kosova i ka 1.6 milionë banorë, e ti ketë 260 mijë studentë nuk ka shanse. Numrat e indekseve, tash të ID-ve, mund të mbeten edhe të atyre që janë duke vdekur apo edhe kanë vdekur, të pensionistëve, të atyre që tashmë kanë hyrë në moshë të thyer, dhe të mijëra të tjerëve, që e kanë harruar edhe se si quhej dega apo drejtimi i studimeve që e kishin zgjedhur, dhe të mijëra të tjerëve që e kanë braktisur Kosovën, prej vitesh apo së pakur prej disa muajsh.
Pra, të shpërblesh, edhe ata që i kanë braktisur studimet, që i kanë humbur vite të tëra, apo që i çojnë zvarrë studimet, në të shumtën e rasteve sepse as UP-ja, e as kolegjet private nuk i përfillin rregullat statutare, që kush i dyfishon studimet, përjashtohet nga ato, si në nivelin bachelor, master.
Pra, njëra nga pyetjet që duhej ta zgjidhte qeveria para se të merrte vendim për financim me 100 euro, do të duhej të shtrohej pyetja se sa e tejkalon numri 260 mijë këtë rregull, rregullin statutar të dyfishimit të studimeve, sa e kanë braktisur Kosovën etj!
Nga këtu, rregulli statutar do të duhej të niste hetimi i prokurorisë, për shkelje të dyfishtë me këtë vendim nga deputeti Kurti:
E para se duke e marrë një vendim kaq kapital pa bazë ligjore, nuk është e lejuar për një kryeministër në detyrë, dhe bashkë me të, duke qenë në shkelje të Kushtetutës, sipas vendimit të Gjykatës Supreme!
Dhe e dyta numri është hiperbolik, i pa arsyetuar.
Po ashtu kanë vend edhe dilemat tjera, nëse do të duhej të merrej parasysh fakti, që mijëra studentë, sidomos ata të nivelit master janë të punësuar, e dimë që shumica nuk janë të punësuar në profesion të vetin, por që do të duhej të kishte një limit, psh, që nuk mund të përfitojnë ata që marrin mbi një mijë euro në muaj, apo që familjet e tyre janë milioner! Dhe ai vendim do të duhej të kishte mundësinë e ankimit për rastet që do të ishin shkelje apo diskriminim.
Listat do të duhej të dokumentoheshin dhe aprovoheshin nga njësitë fakultative, nga universitetet publike e private dhe nga kolegjet private!
Çdo para publike duhet të jepet nëpërmjet zotimeve buxhetore dhe argumentimit të duhur, dhe jo vetëm për qëllime zgjedhore.
Në fund të fundit ndihma prej 100 euro, nuk ka asnjë efekt në rritjen e cilësisë së studimeve!
Hipokrizi e pastër dhe mashtrim, me abuzim sistematik!
