Zyrtari policor shkakton aksident me pasojë vdekje në Prizren, arrestohet nga IPK-ja

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) janë njoftuar sot në orët e mbrëmjes nga Policia e Kosovës për një aksident trafiku në të cilin ishte përfshirë një zyrtar policor – jashtë detyrës zyrtare.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 18:00 në rrugën “Ismajl Kryeziu” në Prizren, ku zyrtari policor duke drejtuar veturën e tij private, ka goditur një këmbësor. Për pasojë, këmbësori ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Në vendngjarje kanë dalë menjëherë hetuesit e IPK-së, njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore në Prizren.

Sipas hetimeve fillestare, dyshohet se drejtuesi i veturës nuk e ka përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës duke shkaktuar aksidentin me pasoja fatale.

Lidhur me këtë rast është iniciuar procedurë penale për veprën “Rrezikim i trafikut publik”. I dyshuari, zyrtar policor, është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. /Kosova.info/


Go to TOP