Abuzimet me tokat në bregdet, dënim me burg për ish drejtuesit lartë vendorë të Lezhës
Në Shqipëri, gjykata e Apelit në Shkodër vendosi sot dënimin me 3 vjet burg për ish kryetarin e Bashkisë së Lezhës Fran Frrokaj dhe ish kryetarit të qarkut Gjok Ndoka, për abuzime me pronat.
Dënime u dhanë dhe për 16 persona të tjerë, ish zyrtarë vendor dhe qytetarë të përfshirë në tjetërsimin e një sipërfaqeje prej mbi 230 mijë metrash katrorë në bregdetin e Shëngjinit. Ata u arrestuan në vitin 2018, dhe ndaj tyre ishte dhënë më parë dënimi me burg dhe nga Gjykata e shkallës së parë.
Frrokaj, ishte zgjedhur në krye të Bashkisë së Lezhës si kandidat i Partisë Demokratike, ndërsa Ndoka i partisë socialiste. Që të dy, së bashku me ish zyrtarë të tjerë vendorë në Lezhë, u vunë nën akuzë tre ditë më parë dhe nga Prokuroria e posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për një tjetër rast të ngjashëm. Ata akuzohen për “Shpërdorim detyre” në rastin e tjetërsimit të afro 66 mijë metrave katrorë, po në bregdet, me një vlerë prej 13 milionë eurosh.
