Abdixhiku: Qeveria po e ngulfatë sektorin privat  

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha sot se Qeveria e Kosovës po e ngulfat sektorin privat, që ka nevojë për mbështetje dhe çmime  të përballueshme të energjisë.

Ai këto komente i bëri gjatë një vizite në një kompani private që merret me grumbullimin, përpunimin dhe prodhimin e frutave të imta.

“Sektori i ‘agrikulturës, pyjeve dhe peshkatarisë’ merr pjesë me 7% të Bruto Prodhimit Vendor në Kosovë. “Grumbullimi dhe përpunimi i ushqimit mbetet një sektor që meriton të zhvillohet tutje dhe do të sjellë vlerë të shtuar në vendin tonë. Ne shohim shumë potencial nga kompanitë si Joni-SH, që ofrojnë produkte natyrale dhe bio, që janë tepër të kërkuara në tregjet ndërkombëtare. Ky sektor punëson drejtpërdrejtë mbi 10,000 punëtorë, dhe ky numër shkon në 50,000 kur llogaritet i gjithë zinxhiri, duke përfshirë edhe fermerët që ofrojnë produktet e tyre bazë. Ky sektor, në përgjithësi punëson më shumë gra, rreth 62%. Pra ndihma ndaj këtij sektori është ndihmë për gratë në Kosovë”, tha Abdixhiku.

“Qeveria Kurti nuk ka planifikuar dhe nuk ka bërë mirëmbajtje të rregullt të kapaciteteve vendore për prodhimin e energjisë, dhe si rezultat kemi ndërprerjet. Kështu, për kompanitë, kjo do të thotë se investimet që janë paraparë të bëhen në zgjerim të biznesit duhet të presin ditë më të mira”, tha më tej kryetari i LDK-së.

Abdixhiku gjithashtu tha se LDK ka një plan 10-pikësh për përballimin e krizës së energjisë elektrike.

“Bizneset në Kosovë kanë nevojë për përkrahje jo për burokraci. LDK do të reduktojë burokracinë për biznese, në mënyrë që të zhvillohen pa pengesa nga shteti. Programi ynë parasheh që ndihmojë ato kompani që kanë nevojë për të arritur standardet e kërkuara të cilësisë që kanë potencial për eksport. Qeveria aktuale ka ngulfatur bizneset dhe nuk ka ofruar përkrahje për to”, shprehet kreu i LDK-së. 

Go to TOP