Abdixhiku: Pas tentativës së 29-të, do të propozoj një Agjendë 15 pikëshe për Qeveri Uniteti
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar në prag të përpjekjes së 29-të për të zgjedhur kryeparlamentarin e vendit duke e cilësuar këtë situatë si dëshmi të qartë se askush nuk ka shumicën, as pas tre muajsh përplasjesh politike. Ai ka paralajmëruar se do të dalë me një agjendë 15 pikëshe, një platformë të strukturuar për krijimin e një Qeverie të Unitetit, të cilën do t’ua ofrojë për shqyrtim të gjitha partive politike – pa përjashtim.
“Nesër, mblidhemi për herën e 29-të. Mes betejave partiake që s’përputhen askund, një e vërtetë na bërtet qartë – askush nuk ka shumicën. Prandaj edhe tentativa e 29-të do të përfundojë pa epilog – veç si prolog i tjetrës”, shkroi Abdixhiku në një reagim publik.
Ai u ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë liderëve të Vetëvendosjes, PDK-së, AAK-së dhe Nismës që t’i rikthehen propozimit të tij për një Qeveri të Unitetit dhe ta vlerësojnë me kujdes. Sipas tij, kjo krizë institucionale është bërë jonormale dhe kërkon zgjidhje urgjente.
“Vazhdoj të besoj se mund të ulemi, të flasim dhe të pajtohemi për një zgjidhje të përbashkët. Kjo krizë mund të na shërbejë si mundësi – nëse e trajtojmë me guxim dhe përgjegjësi,” tha ai duke njoftuar se do të prezantojë së shpejti një platformë konkrete bashkëpunimi në formë të një Agjende 15-pikëshe.
Abdixhiku theksoi se uniteti politik në këtë moment nuk është luks, por domosdoshmëri. Sipas tij, para se të ketë opozitë që kritikon, vendit i duhet një pozitë që funksionon – një qeveri legjitime, një Kuvend që punon dhe një shtet që ecën përpara.
Në fund, kreu i LDK-së ka kërkuar nga “zërat me peshë” dhe “mendjet e urta” që të mos heshtin dhe të inkurajojnë këtë përpjekje për tejkalimin e bllokadës.
“Të refuzosh është e lehtë. Të tallesh me një popull të tërë plot 28 herë është e rëndë. Le të provojmë unitetin. Mund dhe mos të jetë aq keq”, përfundon Abdixhiku. /Kosova.info/
