Ademi pret Jerome Champagne, një mbështetës i futbollit kosovar

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se ish-zyrtari i lartë në FIFA, Jerome Champagne, është një mik i çmuar dhe mbështetës i jashtëzakonshëm i futbollit kosovar, i cili ka luajtur rol thelbësor në pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA.

Ademi ka njoftuar se Champagne ka qëndruar në Prishtinë. 

“Sonte pata kënaqësinë e veçantë të pres në Prishtinë një mik të vjetër dhe të çmuar të futbollit tonë, z. Jérôme Champagne, i cili po qëndron në Kosovë me ftesën time”, ka thënë i pari i futbollit kosovar. 

Ai ka shtuar se Champagne ishte përgatitësi kryesor i dosjes së parë të aplikimit për anëtarësim dhe një figurë kyçe në rrugën historike drejt njohjes ndërkombëtare: “Si ish-zyrtari i lartë i FIFA-s ka qenë më i merituari dhe mbështetësi më i madh i pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA. Ai është personi që e ka hartuar dosjen e parë të aplikimit tonë për anëtarësim dhe ka luajtur rol kyç në këtë proces historik”, ka thënë Ademi. 

Ai ka theksuar bashkëpunimin e ngushtë me institucionet shtetërore dhe përkushtimin e Champagne: “Në atë kohë, ai përveç takimeve në FFK kishte zhvilluar takime edhe me ministrin e atëhershëm të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ku ishim dakorduar për bashkëpunimin dhe rrugën përpara drejt anëtarësimit”, është shprehur Ademi, duke shtuar se miqësia e tij me legjendën Fadil Vokrri, afërsia e tij me ish-presidentin e FIFA-s, Sepp Blatter dhe roli i tij në prapaskenat diplomatike kanë qenë jetike për afirmimin ndërkombëtar të futbollit kosovar dhe ai pa dyshim do të mbetet gjithmonë pjesë e historisë së FFK-së”

Ademi ka nënvizuar se Champagne vazhdon të jetë mbështetës i palodhur dhe këshilltar i çmuar: “Z. Champagne vazhdon të mbështesë Kosovën sa herë që i jepet rasti, si dhe të ndihmojë në aspekte organizative dhe profesionale, kudo ku përvoja dhe dija e tij janë të dobishme për ne”, ka thënë ai. “I shpreha mirënjohje për kontributin e pakursyer ndër vite, duke i dhuruar edhe një fanellë të Kombëtares së Kosovës”.

Go to TOP