Abdixhiku nis “Turneun e Falënderimit” nga Llapi: Zëri qytetar do të dëgjohet
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka qëndruar sonte në Llapi, ku pas iftarit është takuar me qytetarët e kësaj ane. Ai ka ndarë momente të mikpritjes dhe bisedave spontane me ta duke theksuar rëndësinë e bashkëbisedimit të drejtpërdrejtë me njerëzit.
“Mes njerëzve të Kosovës, aty ku buron dhe qëllimi politik. Mes mbështetësve tanë e jo vetëm, ku ndërtohet rrugëtimi ynë,” ka shkruar Abdixhiku në një postim. Ai ka vlerësuar kërkesën e qartë dhe këmbëngulëse të qytetarëve për të vazhduar rrugën e LDK-së duke theksuar se kur zëri i qytetarëve përputhet me angazhimin politik, atëherë puna merr kuptim të plotë.
Me këtë vizitë, Abdixhiku ka shënuar edhe fillimin e “Turneut të Falënderimit”, një nismë për të takuar dhe falënderuar mbi 171 mijë mbështetësit e LDK-së dhe qytetarët në mbarë Kosovën. Ai ka paralajmëruar se do të vazhdojë takimet në çdo cep të vendit, për të forcuar edhe më shumë lidhjen me qytetarët dhe për të dëgjuar kërkesat e tyre.
“Ky zë do të dëgjohet!” ka përfunduar Abdixhiku duke lënë të kuptohet se LDK synon të mbetet në kontakt të ngushtë me qytetarët gjatë gjithë rrugëtimit politik. /Kosova.info/
