Abdixhiku: Nga Rahoveci premton investime konkrete dhe mbështetje për bujqësinë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar tubimin e radhës elektoral në Rahovec, ku theksoi rëndësinë e zhvillimit ekonomik dhe mbështetjes konkrete për sektorët kyç të vendit.

Ai e cilësoi Rahovecin si “qytetin e vreshtave, të punës dhe krenarisë” duke vlerësuar energjinë dhe përkushtimin e qytetarëve, të cilët sipas tij, dinë të bëjnë dallimin mes premtimeve boshe dhe projekteve reale që përmirësojnë jetën.

Abdixhiku tha se fokusi i programit të tij është në investime që nuk mund të shtyhen më duke përfshirë mbështetje më të madhe për bujqësinë, përmirësimin e infrastrukturës rrugore, ndërtimin e shkollave dhe spitaleve, si dhe krijimin e mundësive për të rinjtë që të ndërtojnë të ardhmen në Kosovë.

Ai gjithashtu prezantoi kandidatët e LDK-së për këtë komunë, Avdullah Hoti dhe Fahrije Hoti duke kërkuar mbështetje për ta në zgjedhjet e ardhshme.

“Zotohemi për projekte që e zhvillojnë Rahovecin dhe gjithë Kosovën. Për një shtet që punon për qytetarin, jo për propagandën”, u shpreh Abdixhiku duke shtuar se LDK-ja synon të rikthejë besimin dhe zhvillimin në vend. /Kosova.info/


Go to TOP