Abdixhiku nga Mitrovica: Qyteti i qëndresës meriton më shumë investim dhe përkushtim

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar sot kandidatët e kësaj partie në Mitrovicë duke e cilësuar këtë qytet si simbol të qëndresës, punës dhe historisë së Kosovës.

Gjatë këtij prezantimi, Abdixhiku theksoi se Mitrovica, si qytet i minatorëve, industrisë, kulturës dhe muzikës, ka bartur një barrë të madhe ndër vite dhe për këtë arsye meriton më shumë vëmendje institucionale dhe investime konkrete.

“Mitrovica ka mbajtur shumë mbi supe ndër vite. Prandaj meriton më shumë përkushtim. Një qytet me kaq histori, energji dhe potencial nuk duhet të mbetet në pritje”, deklaroi ai.

Abdixhiku bëri të ditur se gjatë takimit me qytetarët janë diskutuar projektet zhvillimore që i nevojiten qytetit, me theks të veçantë në zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës dhe zhbllokimin e projekteve të mbetura pezull.

Në Mitrovicë, LDK garon me kandidaten Brikena Muharremi (nr. 32), si dhe kandidatët Naim Hajra (nr. 85) dhe Oltion Ahmeti (nr. 96), të cilët synojnë të përfaqësojnë interesat e qytetarëve në Kuvendin e Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP