Abdixhiku: Në Kosovë do të lindin prokurorë me guxim për të hetuar çdo hajni – sidomos të pushtetarëve

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka dhënë një mesazh të fuqishëm për drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit duke shprehur besimin se Kosova do të arrijë ditën kur drejtësia do të veprojë me guxim dhe integritet të plotë ndaj secilit akt korruptiv – veçanërisht ndaj atyre të kryera nga pushtetarët.

“Edhe në Kosovë, sikurse në secilin vend tjetër në Evropë, do të del një ditë një prokuror a dy, djem e vajza të reja e të rinj, që kanë guxim e integritet të trajtojnë secilin akt korruptiv; secilën hajni. Edhe atë të pushtetarëve. Sidomos atë të pushtetarëve,” ka deklaruar Abdixhiku.

Ai tha se ajo ditë do të jetë moment krenarie për shtetin dhe për qytetarët e vendit, ku ata që i shërbejnë ligjit me ndershmëri nuk do të kenë frikë nga askush. Abdixhiku kritikoi ashpër ata që, sipas tij, mbrojnë hajninë vetëm sepse hajni është pjesë e tyre politike.

“Piskamat e politikanëve që mbrojnë hajninë vetëm pse hajni është i tyre – atë që u bërtet me fakte mu para syve – atë ditë nuk do të kenë më asnjë vlerë,” u shpreh ai.

Në përfundim, Abdixhiku shprehu shpresën se një epokë e re ka nisur në Kosovë, një epokë ku përgjegjësia dhe llogaridhënia do të jenë normë, dhe ku “paret e vjedhura nga ata që e shohin veten mbi shtet, ligj e vend, do të kthehen cent më cent – nga të gjithë!”. /Kosova.info/

Go to TOP