Abdixhiku nderon Epopenë e UÇK-së: Rilindja e Jasharajve, qëndresa jonë drejt së ardhmes
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar sot 27-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke nderuar sakrificën heroike të Adem Jasharit, familjes Jashari dhe gjithë të rënëve për liri.
Nga Kulla e Jasharajve në Prekaz, Abdixhiku theksoi se Epopeja e UÇK-së përfaqëson themelin e shtetit të Kosovës dhe përpjekjen kolektive të popullit shqiptar për liri.
“Qëllimi i shuarjes së trungut familjar të Jasharajve ishte qëllim i shuarjes së vet popullit shqiptar në Kosovë. Qëndresa e tyre atëherë ishte rilindje e jona kombëtare,” tha Abdixhiku duke shtuar se brezat e rinj të familjes Jashari sot simbolizojnë qëndresën dhe vazhdimin e rrugës për një të ardhme më të mirë.
LDK-ja bashkë me qytetarët përkujtojnë sakrificën sublime të heronjve duke e cilësuar këtë ngjarje si trashëgimi të përjetshme të popullit shqiptar. /Kosova.info/
