AAK: Pensioni i veteranëve duhet të jetë barasvlershëm me pagën minimale, deri në kategorizimin përfundimtar

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka bërë thirrje Qeverisë që t’i marrë parasysh propozimet e tyre lidhur me pagën minimale dhe pensionet e veteranëve të luftës.

Në një konferencë për media, shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar nga Qeveria që pensioni i veteranëve të jetë barasvlershëm me pagën minimale, deri në një kategorizim përfundimtar.

“Kjo konferencë është thirrur për dy arsye; për të reflektuar mbi gjendjen e djeshme dhe takimin e sotëm mes Qeverisë dhe përfaqësuesve të veteranëve si dhe për të propozuar zgjidhjen që ne si grup parlamentar e kemi bërë në Kuvend”.

“E para, për AAK-në është jashtëzakonisht e rëndësishme që Qeveria të reflektojë në propozimet tona që i kemi dhënë në raport me përcaktimin e pagës minimale. Vazhdimi i debatit dhe diskutimit me përfaqësuesit e veteranëve është shumë i rëndësishëm. Ne kemi propozuar që paga minimale të jetë më e lartë se ajo që është miratuar nga Qeveria”.

Tahiri ka thënë se AAK-ja është e gatshme të debatojë për dy amandamente që ka propozuar për zgjidhjen e kësaj situate. Njëri për zbritjen e çmimeve dhe tjetri për pensionin e veteranëve.

“3 muaj më parë kemi rekomanduar zgjidhjet për Ligjin e Pagave për sektorin publik në raport me masat për zbritjen e çmimeve enorme të produkteve bazë, me heqjen e akcizës për pesë muaj”.

“AAK ka deponuar përmes deputetit Bekë Berisha një amandament që kërkon që deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranëve të UÇK-së, pensioni i veteranit të jetë i barasvlershëm me pagën minimale. Ne po e sfidojmë nenin dhe po ofrojmë zgjidhje”.

Përndryshe, me moszgjidhje të gjendjes dhe pakënaqësinë e veteranëve, Tahiri ka shtuar se do të ketë bllokim të Kuvendit. Dhe zhbllokimi, sipas tij, fillon me trajtimin e dy amandamenteve të propozuara nga AAK-ja.

“Nuk i duhet Kosovës krizë, i duhet zgjidhje, kjo qeveri shumë e ngadalshme që në secilën situatë ka propozuar krizë, duhet të kthehet dhe të merr vendime. Në mungesë të vendimmarrjes kemi status-quo”, ka përfunduar deputeti opozitar.

Go to TOP