AAK nuk e voton nesër buxhetin, Lekaj: Kemi shqetësime serioze për mënyrën se si është hartuar
Nesër në Kuvendin e Kosovës do të zhvillohet shqyrtimi i parë i buxhetit për vitin 2025, i cili kërkon shumicën e thjeshtë prej 61 votash për të kaluar. Ndërkohë që partitë opozitare, përfshirë AAK-në dhe LDK-në, kanë shprehur kundërshtim ndaj këtij projektbuxheti, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, beson se ka mbështetjen e nevojshme për miratimin e tij.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka bërë të ditur se partia e tij nuk do të votojë në favor të projektbuxhetit, duke shprehur “shqetësime serioze” për mënyrën e hartimit dhe alokimit të fondeve. Ai ka deklaruar se buxheti nuk adreson si duhet sektorët kyç si shëndetësia, arsimi dhe energjia, duke shprehur frikën se ky plan financiar mund të përkeqësojë gjendjen në vend. “Ne nuk mund ta mbështesim një buxhet që rrezikon zhvillimin ekonomik dhe social të Kosovës,” ka theksuar Lekaj.
Nga ana tjetër, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e ka cilësuar buxhetin si “tranzitor”, duke thënë se pas 9 shkurtit, kur pretendojnë se kryeministri i ardhshëm do të jetë Lumir Abdixhiku, do të fillojë hartimi i një buxheti të ri në përputhje me programin e LDK-së, “Rruga e Re”.
Pas një takimi më 4 nëntor, partitë opozitare – PDK, LDK dhe AAK – deklaruan se nuk do ta mbështesin projektbuxhetin e parashikuar prej 3.6 miliardë euro për vitin e ardhshëm.
Ndërkohë, organizata Lëvizja FOL ka kritikuar Qeverinë për propozimin e disa ndryshimeve që, sipas tyre, bien ndesh me ligjin. FOL thekson se neni 9 i Ligjit për Pagat në Sektorin Publik kërkon që koeficientët e pagave të caktohen nga ligji vjetor i buxhetit, por nuk lejon që struktura e tyre të ndryshohet.
Në përfundim, FOL kërkoi nga deputetët e Kuvendit të veprojnë me përgjegjësi për të ruajtur integritetin e sistemit ligjor, duke u siguruar që çdo ndryshim ligjor të respektojë procedurat dhe parimet kushtetuese dhe ligjore.