AAK dhe VV bashkë për Junikun
Në komunën e Junikut është arritur marrëveshja politike ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje (VV) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për bashkëpunim në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Përmes një njoftimi publik, Jetmir Tofaj, nga Lëvizja Vetëvendosje – Qendra Junik, ka bërë të ditur se pas një vlerësimi të kujdesshëm politik dhe institucional, është marrë vendim që VV të mbështesë kandidatin e AAK-së, Agron Kuçi, në garën për kryetar të komunës.
“Sipas vendimit të Kryesisë së Qendrës Junik dhe me aprovimin e Kryesisë qendrore të Lëvizjes Vetëvendosje!, në raundin e dytë do të mbështesim kandidatin e AAK-së, z. Agron Kuçi. Ky vendim ka për qëllim të sigurojë një qeverisje stabile, të përgjegjshme dhe në interes të qytetarëve të Junikut”, ka deklaruar Tofaj.
Ai ka shtuar se kjo marrëveshje bazohet në mirëkuptim të ndërsjellë dhe në vizion të përbashkët për zhvillimin e Junikut duke theksuar se bashkëpunimi i VV-së dhe AAK-së do të sigurojë shumicën në Kuvendin Komunal, si dhe stabilitet politik për nisma zhvillimore e projekte konkrete në shërbim të qytetarëve.
“Bashkë do të vazhdojmë të punojmë për një Junik më të zhvilluar, më të drejtë dhe më të bashkuar”, ka përfunduar Tofaj. /Kosova.info/
