A është “human” kompjuteri?!

Shkruan: Besart VLLAHINJA

Debati për “nivelin human të kompjuterit” nuk është vetëm filozofik. Më shumë se asnjëherë më parë, sot, kjo është çështje praktike. Algoritmet e inteligjencës artificiale shkruajnë, analizojnë, krijojnë, këshillojnë. Madje, marrin vendime që ndikojnë në ekonomi, shëndetësi, siguri dhe media. Nuk është më pyetje nëse kompjuteri është i aftë, por çfarë do të thotë të jesh human në një epokë algoritmesh?

Një plejadë e tërë e publicistëve, filozofëve, shpikësve dhe shkencëtarëve, përfshirë por pa u kufizuar tek Arthur C. Clarke, Isaac Asimov, Alan Turing në publikimet e tyre futuristike me përmbajtje shkencore, përmes formave të menduara si robot humanoid, parashtruan mendimin se makinat do të arrinin të komunikonin në mënyrë që nuk do të dallonte nga njeriu dhe si rrjedhojë kjo formë komunikimi do të konsiderohej inteligjente. Sot, shumë sisteme kalojnë forma të këtij testi në praktikë të përditshme.

Por kalimi i një testi komunikimi nuk është sinonim i vetëdijes. Një sistem me intelegjencë artificiale mund të prodhojë përgjigje brilante, pa kuptuar asgjë nga përmbajtja e prodhuar. Këto sisteme operojnë mbi modele statistikore, jo mbi përvojë subjektive. Në anën tjetër, njeriu si qenie, flet nga historia personale, përjetimi, trauma, gëzimi, kultura, emocionet dhe konteksti.

Në aspektin kognitiv, kompjuterët e sotshëm dhe algorimet e tij, tashmë tejkalojnë njeriun në shumë fusha. Kompjuterët përpunojnë sasi masive të të dhënave, kanë shkallë të lartë optimizimi, arrijnë të realizojnë analiza të thukta financiare, si dhe kryejnë diagnostikime mjekësore me saktësi të lartë. Por inteligjenca njerëzore përfshin elemente që nuk reduktohen në algoritëm. Aftësinë për të ndjerë dhimbjen e tjetrit. Intuitën, si shkathtësi e cila ndihmon njeriun të merr vendime që bazohen në përvojë të nënvetëdijshme. Gjykimi moral, si aftësi të bëj’ dallimin mes asaj që është e mundshme dhe asaj që është e drejtë. Vetëdijen si ndërgjegje për ekzistencën e vet. Kompjuteri mund të simulojë empatinë në gjuhë e formualuar nga algoritmi. Por ai nuk përjeton.

Pikë tejet kontraverse dhe nxitëse e debatit është çështja e zhvillimit të vetëdijes artificiale. Disa studiues dhe filozofë argumentojnë se vetëdija mund të jetë produkt i kompleksitetit. Sa më kompleks sistemi, probabiliteti shumë i madh që ai sistem të zhvillojë forma të vetëdijes.

Studiues e filozofë të tjerë e kundërshtojnë, duke theksuar se vetëdija është e lidhur me biologjinë, trupin dhe përvojën fizike.

Sot, asnjë provë nuk ekziston se sistemet kompjuterike kanë përjetim subjektiv. Ato përpunojnë të dhëna dhe gjenerojnë të dhëna. Pa asnjë shkallë vetëdije për procesin.

Një aspekt thelbësor i nivelit human është përgjegjësia. Nëse një mjek gabon, ai mban përgjegjësi. Nëse një gjykatës merr vendim të padrejtë, ai përgjigjet në relacion me ligjin. Por çfarë ndodh kur një algoritëm gabon, apo merr vendime të padrejta. Kush mban përgjegjësi kur një sistem kompjuterik autonom, i bazuar në intelegjencë artificiale shkakton dëme dhe rezulton me pasoja?

Kompjuteri nuk ka moral dhe etikë. Subjekti moral dhe etik është produkt i zhvilluar dhe kultivuar nga programeri, respektivisht nga institucioni apo struktura që e implementon.

Në këtë kuptim, sa më shumë sisteme automatizohen, aq më e rëndësishme bëhet përgjegjësia njerëzore.

Një nga rreziqet më të mëdha është tendenca për t’i atribuar makinës cilësi njerëzore, i njohur si antropomorfizëm. Kur njerëzit fillojnë të besojnë se një sistem “kupton”, “dëshiron” apo “mendon”, krijohet iluzioni i autoritetit. Ky iluzion mund të çojë në delegim të pakontrolluar të vendimeve, varësi nga algoritmet dhe dobësim të gjykimit kritik njerëzor. Sa më bindëse bëhen sistemet kompjuterike, aq më e domosdoshme bëhet ngritja e vetëdijes njerëzore për kufijtë e tyre.

Një dilemë e madhe, e cila është përherë prezentë është nëse “niveli human” i kompjuterit është një kufi i arritshëm. Nëse niveli human nënkupton performancë kognitive, atëherë po, kompjuterët tashmë e kanë arritur dhe në disa fusha e kanë tejkaluar.

Por nëse niveli human nënkupton vetëdije, ndjenjë, përgjegjësi morale dhe përjetim subjektiv, atëherë kompjuteri është shumë larg. Dhe ky kufi nuk është teknik, por ontologjik.

Prandaj, në një botë ku algoritmet shkruajnë, pikturojnë dhe analizojnë, humaniteti nuk matet më me aftësinë për të përpunuar informacion, por me aftësinë për të kuptuar pasojat.

Kompjuteri mund të arrijë nivel të lartë inteligjence funksionale. Por humaniteti është më shumë se funksion.

Ai është ndërgjegje, përgjegjësi dhe kuptim. Dhe këto, të paktën për momentin, mbeten thelbësisht njerëzore.


Go to TOP