A po nxitet një konflikt i ri i armatosur
Shkruan: Milazim KRASNIQI
Edhe nga zhvillimet e kohëve të fundit nxirret lehtë përfundimi logjik se Kosova as nuk ka pasur as nuk ka politikë të qartë lidhur me serbët e Kosovës e aq më pak për konfliktin e hapur me Serbinë. Politika e qeverive të Kosovës ka qenë reaktive, pra, reagim ndaj veprimeve agresive të serbëve lokalë e të shtetit serb, ose kompromise të mëdha, për hatër të faktorëve ndërkombëtar. Kështu kemi ardhur në këtë situatë absurde ku njëzet e gjashtë vite pas pavarësisë, serbët protestojnë për institucionet e Serbisë dhe faktorët ndërkombëtar i bëjnë presion Kosovës për të mos mbyll ato institucione, të cilat janë zgjatime të okupatorit serb. Këtu vetëm logjikë nuk ka. Këtu ka vetëm dështim të qeverive të Kosovës, nga e para deri te kjo e fundit dhe hipokrizi të faktorëve ndërkombëtar, nga i pari tek i fundit.
Çka është dashur të bëhej? Kushti i parë për të formuar komunat e reja dhe për të mbajtur zgjedhjet lokale, si në dialogun në Vjenë ashtu edhe në Bruksel, do të duhej të ishte mbyllja e atyre institucioneve. Nuk e kanë vënë atë kusht prandaj, po i vuajmë pasojat.
E dyta, procesi i pacifikimit në veri, i filluar para dy vitesh nga qeveria Kurti, nuk do të duhej të fillonte nga tabelat, nga zgjedhjet, nga ura e Ibrit, po pikërisht nga mbyllja e këtyre institucioneve paralele, zgjatime të okupatorit. Për këto dy vite është harxhuar shumë energji e edhe kredibilteti i Kosovës me çështjen e tabelave, kryetarëve të komunave, dinarit, postës, ndërsa themeli i të gjitha atyre kanë qenë pikërisht organet paralelet të Serbisë në Kosovë.
Nga ky aspekt, kërkesat e faktorëve ndërkombëtarë, për të mos mbyll këto organe të okupatorit, vërtet janë absurditet i llojit të vet. Kjo kërkesë absurde dëshmon gjithsesi se faktorët ndërkombëtarë nuk kanë politikë të qartë për Kosovën, aq më pak për konfliktin e hapur ndërmjet Kosovës e Serbisë. Më gjasë edhe ajo politikë që kanë pasur, po rrëshqet drejt nxitjes së një konflikti të ri. Ka rrezik që edhe vetë nxitja e Kurtit për “pacifikimin” e veriut e ka pasur për synim që të arrihet në pikën e konfliktit të pashmangshëm, për të zgjidhur pastaj krizën e re në favor të Serbisë- me një autonomi substanciale për veriun. Si dhuratë për litiumin dhe për armët që po dërgon Serbia në Ukrainë.