A mund ta mbronte UÇK-ja popullin gjatë bombardimeve nga NATO? Clark tregon diskutimin me Thaçin
Ish-gjenerali i NATO-s, Uesley Clark, ka folur për rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në çlirimin e vendit nga forcat serbe.
Ai ka kujtuar edhe një rast kur ishte takuar me delegacionin shqiptar dhe e kishte pyetur ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, nëse UÇK-ja mund ta mbrojë popullin e Kosovës dhe Thaçi ishte përgjigjur me “po”.
“Dëshira ishte e tillë, por si kishte mundësi UÇK-ja të krijonte menjëherë një forcë për të mbrojtur popullin. A ka provuar UÇK-ja të bëjë një gjë të tillë? Po, sigurisht. Mijëra shqiptarë erdhën nga SHBA-të dhe Kanadaja për të luftuar në Kosovë”, ka thënë Clark.
Tutje ai ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka luajtur rol të rëndësishëm duke ushtruar presion tokësor ndaj ushtrisë serbe.
“UÇK-ja ka luajtur një funksion tejet të rëndësishëm. Kanë ushtruar presion tokësor që kufizonte fushatën ajrore. E vetmja gjë që nuk donte të përballej Millosheviqi, ishte një forcë e armatosur shqiptarësh. Ai e dinte se një forcë e tillë dhe e mbështetur nga forcat ajrore të NATO-s, do ta shkatërronte ushtrinë serbe”, ka thënë Clark në TV Klan.
Clark ka deklaruar se ishte munduar disa herë të bind Sllobodan Millosheviqin për tërheqjen e trupave serbe nga Kosova, por ky i fundit kishte filluar spastrimin etnik të shqiptarëve.
Ai ka thënë se një veprim i tillë nga Millosheviqi nuk mund të përsëritej ashtu siç ndodhi në Bosnje, andaj edhe ndërhyri NATO.
