A ka udhërrëfyes të ri për vizat?, Sveçla udhëton në Bruksel për të takuar Komisionaren për Çështje të Brendshme

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, brenda dy ditëve pritet të udhëtojë në Bruksel për të takuar Komisionaren Evropiane për Çështje të Brendshme, Ylva Johansson.

Ky takim vjen pas raportimeve se Komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Verhelyi, ka paralajmëruar për një udhërrëfyes shtesë për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një prononcim për Telegrafin tha se në takimin që ministri Sveçla do të zhvillojë me komisionaren Johansson, pritet të konfirmohet “qëndrimin pozitiv i Komisionit Evropian sa i përket liberalizimit të vizave”.

“Ministri i punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, brenda 48 orëve të ardhshme do të udhëtojë në Bruksel për të takuar Komisionaren për Çështje të Brendshme (DG Home), Ylva Johansson dhe ndër të tjerash për të konfirmuar qëndrimin pozitiv të Komisionit Evropian sa i përket liberalizimit të vizave”, deklaroi Kryeziu.

Ai tutje shtoi se Kosova ka pasur udhërrëfyes shumë kërkues me 95 kritere, më shumë se çdo vend tjetër i rajonit, të cilat i ka plotësuar.

“Muajin e ardhshëm bëhet 4 vjet që kur Komisioni Evropian për herë të dytë ka konstatuar se këto kritere janë plotësuar dhe ka dhënë rekomandimin për liberalizim të vizave. Këtë konstatim e ka mbështetur edhe Parlamenti Evropian në më shumë se një rast”.

“Së fundmi në para dy javësh me rastin e miratimit të raportit për Kosovën nga Komisioni i Politikës së Jashtme të BE-së”, deklaroi Kryeziu.

Sipas Qeverisë, Kosova tani ka nevojë për një vendim nga Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian që “korrespondon me ndryshimet dhe përmirësimet që kanë ndodhur në Kosovë në fushën e qeverisjes së mirë dhe luftimit të krimit dhe korrupsionit, në të cilat sot përveçse qëndrojmë më mirë së çfarë kemi qenë, jemi më mirë edhe se sa vendet e rajonit”.

Kosova është i vetmi vend në Evropë që nuk e gëzon lirinë e lëvizjes, ndonëse Komisioni Evropian dy herë ka theksuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.

Go to TOP