I ndalohet hyrja në Kosovë, propagandueses serbe Svetlana Vukmirovic
Për të dytën herë me radhë, autoritetet e sigurisë në Kosovë, i ndalojnë hyrjen gazetares propaganduese serbe të televizionit publik serb “RTS”, Svetlana Vukmirovic.
Është vet Vukmirovic që ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme i është ndaluar hyrja në Kosovë përmes pikës kufitare në Merdarë.
Sipas saj, ajo u detyrua të kthehet mbrapa, pasi autoritetet kosovare lejuan vetëm pjesën tjetër ekipit që të hyjnë, thuhet në lajmin e RTS-së.
Kush është Svetlana Vukmirovic?
Aktiviteti gazetaresk i Vukmirovic është i lidhur me propagandën serbe karshi komunitetit serb në Kosovë dhe së fundmi, mbështetjen e grupeve kriminale serbe në veri të vendit, siç është grupi i kik-boks klubit të Mitrovicës Veriore, anëtarët e së cilës janë njëkohësisht anëtarë të formacionit kriminal “Mbrojtja Civile”.
Vukmirovic, e cila është me prejardhje nga Prishtina, kishte filluar karrierën e sajë propaganduese në “TV Prishtinën” në vitin 1999, ndërsa që nga viti 2001, ajo është duke punuar në televizionin publik serb “RTS”.
Lidhur me raportimet e sajë propaganduese për Kosovën, në vitin 2000 ajo kishte fituar çmimin vjetor nga “RTS” për “reportazhe profesionale dhe të guximshme” për Kosovën dhe me të njëjtat reportazhe mori pjesë edhe në festivalin e filmit në Moskë.
E orientuar në temat që nxisin urrejtje, Vukmirovic, në vazhdimësi ka krijuar narracion se gjoja në “Kosovë ka shkelje të të drejtave të ortodoksëve, cenimit të ushtrimit të besimit”, dhe se këndejmi ka krijuar perceptime të rreme.
Përveç se është shërbyer me gjuhë propagandistike e të dezinformimit, me stil të mediave ruse, tashmë të ndaluara nga Perendimi, Vukmirovic në anën tjetër ka krijuar protagoniste mediale dhe kriminele, të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë cenojnë sigurinë nacionale të Kosovës.
Rasti i Vukmirovic është i njëjtë me një varg gazetarësh rusë apo serbë pro-rus, të cilët kontaminojnë kultivimin e multietnicitetit në Kosovë, minojnë mirëbesimin në mes të vlerave nacionale dhe rrënojnë vlerat euro-atlantike.


