Apeli vërteton pafajësinë e ish-drejtorit të administratës në Prizren, i akuzuar për korrupsion

Gjykata e Apelit, ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, dhe njëheri ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë, e cila më 14 shtator 2022 , kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj ish- drejtorit të administratës në Prizren, Ilir Baldedaj.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se ankesa e Prokurorisë Themelore në Prizren është refuzuar si e pabazuar, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren është vërtetuar.
Apeli kishte gjetur se aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se i njëjti është i qartë dhe i kuptueshëm.

“Aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par.1 nënpar.1.12 të KPRK-së, e të cilave u referohet në ankesë prokurori, ngase dispozitivi i aktgjykimit është i kuptueshëm, në të nuk ka kundërthënie me vetveten e as me arsyet e tij, është i qartë dhe konkret”, thuhet në vendim.

Tutje, në vendimin e Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë me të drejtë ka konstatuar se prokuroria nuk ka provuar nëse i akuzuari veprimet e tij i kishte bërë me qëllim të përfitimit.

“Gjykata e shkallës së parë me të drejtë ka konstatuar se prokuroria nuk ka provuar aspektin subjektiv të akuzuarit, se dëmi i shkaktuar-Komunës së Prizrenit ishte bërë me qëllim t’i siguroj përfitim personit tjetër. Pra, gjykata e shkallës se parë ka bërë analizën e të gjitha provave të procedura gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe lidhur me to ka paraqitur konkludimet e veta, të cilat si të drejta objektive, dhe të ligjshme të cilat i aprovon edhe kjo gjykatë”, thuhet tutje në vendim.

Apeli ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë ka ardhur në përfundim se në veprimet e të akuzuarit nuk vërtetohen tiparet esenciale të veprës penale keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar.

“Kolegji vëren se në ketë çështje penale gjykata e shkalle së parë ka dhënë arsye të mjaftueshme për faktet vendimtare në kuptim të vërtetimit të ekzistimit të veprës dhe përgjegjësisë penale të akuzuarit, mirëpo në bazë të lartcekurave, gjykata e shkallës së parë me të drejtë ka ardhur në përfundim se në veprimet e të akuzuarit nuk vërtetohen tiparet esenciale të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 2 pika 2.1 dhe 2.2 lidhur me paragrafin 1 të KP, e lidhur me nenin 81 paragrafi 1. pika 1.1, 1.2, 1.4 dhe 1.5 të KPRK-së” thuhet në vendimin e Apelit.

Kjo gjykatë ka gjetur se, nuk janë ofruar fakte vendimtare me të cilat me të cilat provohet se i akuzuari ka pasur për qëllim t’i mundësoj përfitim financiar kompanisë OE-PBC-SHPK.

Në fund të aktgjykimit të Apelit, thuhet se gjykata e shkallës së parë arriti në përfundimin e arsyeshëm se nga provat e zbatuara, nuk është provuar përtej dyshimit të bazuar se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar, andaj me të drejtë i akuzuari është liruar nga akuza për veprën për të cilën është akuzuar.

Ndryshe, sipas pikës një të aktakuzës, thuhej se prej muajit mars, e deri në fund të vitit 2016, Ilir Baldedaj duke vepruar në cilësi të personit zyrtar – drejtor i Administratës së Komunës së Prizrenit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër OE-PBC – SHPK nga Prishtina, njëkohësisht duke i shkaktuar dëm Komunës së Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të tij të përcaktuara me ligj.

Tutje, në aktin akuzues thuhej se i akuzuarit Baldedaj ka vepruar në atë mënyrë që pa kërkuar leje paraprake nga organet qendrore shtetërore, e pikërisht pa parashtruar kërkesë në Ministrinë e Administratës Publike – Agjencia për Shoqërinë e Informacionit, e cila është kompetente për shqyrtimin e kërkesave, propozimin, buxhetin për realizimin e kërkesës dhe implementimin e kërkesës, brenda periudhës kohore të cekur më lartë, paraqet kërkesë për shpalljen e tenderit për projektin “Furnizim me Softwer digjital për shërbimin e qytetarëve të Prizrenit”.

Sipas aktakuzës vlera e tenderit ka qenë 24 mijë e 735 euro, edhe pse ky projekt nuk ka qenë i planifikuar me buxhetin e vitit 2016, duke mos respektuar procedurat e parapara me Ligjin nr. 04/L-145, për organet qeveritare për Shoqërinë e Informacionit, projekt ky që prej ditës së implementimit nuk është funksional, me ç’rast Komunës së Prizrenit i shkakton dëm në shumën prej 28 mijë euro.

Në pikën dy të aktakuzës thuhej se gjatë vitit 2017, në Prizren, i akuzuari Baldedaj, duke vepruar në cilësi të personit zyrtar – drejtor i Administratës së Komunës së Prizrenit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër OE-PBC – SHPK nga Prishtina, njëkohësisht duke i shkaktuar dëm Komunës së Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të tij të përcaktuara me ligj.

Kështu që në atë mënyrë, i akuzuari duke ditur se ekziston Arkiva Qendrore, pa kërkuar leje paraprake nga organet qendrore shtetërore, e pikërisht pa parashtruar kërkesë në Ministrinë e Administratës Publike – Agjencia për Shoqërinë e Informacionit, paraqet kërkesën për shpalljen e tenderit për projektin “Arkiva Elektronike”.

Në akzakuzë thuhej se vlera e këtij projekti ka qenë 72 mijë e 898 euro e 98 centë, duke mos respektuar procedurat e Ligjit nr. 04/L 145, projekt ky jofunksional që nga dita e implementimit, me ç’rast Komunës së Prizrenit i shkaktohet dëm në vlerën prej 72 mijë e 898 euro e 98 centë, ku shuma e përgjithshme e dëmit të shkaktuar është 100 mijë e 898 euro e 98 centë.

Me këto veprime, Ilir Baldedaj akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Go to TOP