Rezulton pozitiv me COVID-19, Chollet anulon vizitën në Ballkanin Perëndimor
Këshilltari i Departamentit të shtetit Amerikan, Derek Chollet, ka planifikuar të zhvillojë një vizitë në Ballkanin Perëndimor nga data 11 e deri më 17 dhjetor.
Mirëpo për shkak të testimit pozitiv me COVID-19, atij iu desh ta anulojë këtë vizitë dhe ta shtyjë për në fillim të vitit 2023.
Klan Kosova i ka dërguar pyetje Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, për të marrë më shumë informata rreth anulimit të kësaj vizite, dhe në një përgjigje të kësaj ambasade thuhet se Chollet është plotësisht i vaksinuar dhe se është duke përjetuar vetëm simptoma shumë të lehta.
“Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, shpreh keqardhjen që iu desh të anulonte udhëtimin e tij në rajonin e Ballkanit dhe në Bruksel që ishte planifikuar për 11-17 dhjetor, për shkak të testimit pozitiv me COVID-19”.
“Chollet është plotësisht i vaksinuar dhe po përjeton vetëm simptoma shumë të lehta. Ai mezi pret të ri-programojë udhëtimin e tij dhe të vizitojë rajonin e Ballkanit në fillim të vitit të ardhshëm”.
Po ashtu, keqardhje ka shprehur edhe vetë Chollet përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter.
“Më vjen keq që do të më duhet të shtyj udhëtimin tim në Ballkan dhe Bruksel për shkak të një testi pozitiv për COVID-19. Unë do të mbetem i angazhuar në të gjitha çështjet në rajonin e Ballkanit dhe mezi pres të bëj udhëtimin në fillim të vitit të ardhshëm”, është shprehur Chollet.
Ndërsa i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tashmë ndodhet në Prishtinë dhe është duke u takuar me krerët shtetërorë të Kosovës.
Fillimisht ai ka takuar presidenten Vjosa Osmani dhe më pas kryeministrin Albin Kurti. Pas këtyre, ai pritet t’i vizitojë edhe liderët e partive opozitare.
Kjo vizitë e tij vjen në një kohë kur veriu i Kosovës është i tensionuar për shkak të grupeve kriminale serbe që kanë vendosur barrikada nëpër rrugë dhe kanë ndërmarrë një mori aktivitetesh kundër forcave të rendit dhe ligjit.
