Gani Kosumi: Vandalizmi po e rrezikon sportin e Kosovës
Finalja e Kosovës në basketboll në mes të Prishtinës dhe Trepçës është kthyer në një arenë dhune.
E pas kësaj ngjarje ka reaguar gazetari i njohur sportiv, Gani Kosumi, i cili përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se vandalizmi po e rrezikon sportin e Kosovës.
Postimi i plotë:
Vandalizmi po e rrezikon sportin e Kosovës
Të nderuar kolegë, dashamirë të sportit. Ka më tepër se 2 vjet që jam pensionua nga puna ime në gazetarinë sportive, por asnjë herë nuk jam ndalur nga sporti.
Pas 40 e më tepër vjet është hera e parë që largohem nga një ndeshje e sportit pa përfundua takimi. Të dielën pasdite, më 11 dhjetor, vendosa ta përcjell ndeshjen finale të Super Kupës së Kosovës në basketboll ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Trepçës, takim i zhvilluar në QRS në Prishtinë. Është hera e parë që pas pjesës së parë të largohem nga palestra pa përfunduar takimi.
Sjelljet vandale të tifozerisë, ofendimet dhe rrezikimi i shikuesëve bëri që pjesa dërmuese e shikuesëve ta braktisin palestrën.
Unë si gazetar sporti kam kalua periudha të vështira gjatë pavarësimit të sportit të Kosovës në kohën e okupimit dhe situata të tjera të vështira, por kurrë nuk jam largua nga një ndeshje e sportit pa përfundua takimi.
Ky është një alarm tek organet drejtuese të sportit, Ministrinë e Sportit, Komitetin Olimpik të Kosovës dhe organet e zbatimit të ligjit që të ndërmarrin masa sa nuk është vonë. Shikuesit e këtillë vandal nuk e kanë vendin në palestrat tona sportive.
Urojmë që kjo le të jetë ndeshja e fundit që për këto sjellje të shëmtuara. Nëse këto gjëra vazhdojnë në palestrat sportive
për kend duhet të zhvillohen ndeshjet e sportit. Në këtë drejtim për dukuritë negative në sport, kolegët duhet ta ngrejnë zërin më emisionet sportive dhe rrjetet sociale që gjërat e këtilla të çrrënosen në sportin e Kosovës.
