Rashiq: Vetëm për një ditë u bëra serbi i Albinit, ndërsa ata ishin gati dy vjet në qeverinë e tij
Ministri i sapoemëruar për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka thënë në një intervistë për radion në gjuhën serbe “Kim” se në fyerjet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq shikon si në farsë, dhe thotë se vetëm për një ditë ai u bë “serbi i Albinit”.
Ai thotë se ka pritur që “të ngrihet pluhur” dhe “që ai të tërhiqet nëpër baltë” për shkak të emërimit të tij në pozitën e ministrit në Qeverinë e Kosovës, por jo kaq shumë.
Gjithçka ishte e pritshme, përveç reagimit që më tronditi. Dhe tani, katër ditë pas kësaj, mendoj se nuk kam dëgjuar askund që presidenti, i cili është një institucion për të gjithë ne, veçanërisht një institucion psikologjik, të përdorë një fjalor të tillë ndaj oponentëve politikë, vetëm pse ata i ka kundërshtarë politikë. Kjo sinqerisht më befasoi dhe më tronditi, por le të themi se ky është Ballkani, kështu që këtu mund të dëgjohet gjithçka, ka thënë Rashiq.
Megjithatë, ai mendon se e gjithë kjo zhurmë qëllimisht është ngritur, pra kjo është një farsë e zakonshme.
“Kjo është thjesht tërhiqje e vëmendjes nga gjërat e rëndësishme që po ndodhin? Ne shumë herë kemi parë që vëmendja të drejtohet në çështje të tjera për të mbuluar ndonjë marrëveshje të veçantë ose nënshkrimi të ndonjë marrëveshjeje siç është shembulli më i fundit i targave në veri. Kaq zhurmë, diskutime, tensione, dhe kemi ardhur në atë pikë se ‘nga sot nuk lëshojmë më targa’ dhe gjithçka është në rregull”, ka thënë ai.
“Unë u bëra “serb i Albinit” për vetëm një ditë. Që nga takimi të enjten, unë të premten u bëra më i ziu në kuptimin që jam serb i Albinit. E para kësaj askush nuk i ka përmendur përfaqësuesit e Listës Serbe, madje as unë, dhe nuk kam dëgjuar as dikë tjetër të flasin për ta si “serbët e Kurtit” për një vit e tetë muaj sa kanë qenë në qeveri. Askush nuk i quajti “serbët e Hotit” kur ishin gjatë gjithë pushtetit të tij, askush nuk i quajti “serbët e Ramushit” kur madje ata shkonin për të promovuar partinë. Ju kujtohen ato foto ku ata përqafohen. Askush nuk u ka thënë se janë “serbët e Thaçit” sepse kanë qenë me të kur ai ishte kryeministër dhe president”, ka theksuar Rashiq.
Ai ka thënë se Listën Serbe e konsideron kundërshtar politik dhe ideologjik, ndërsa përfaqësuesit e kësaj partie e konsiderojnë atë si armikun më të keq. Ai beson se kjo ka të bëjë ekskluzivisht me edukimin familjar.
