Osmani flet për takimin me Macron: E informuam për veprimet destabilizuese të Serbisë në veri të Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, të enjten janë pritur nga presidentin francez, Emmanuel Macron në Pallatin Élysée.

Takimi është bërë në Paris, ku po mbahet edhe Forumi i Paqes.

Pas takimit, Osmani ka thënë se me Macron është diskutuar partneriteti në mes të dy shteteve, dinamizimin e dialogut me Serbinë, si dhe zhvillimet e fundit në Kosovë.

“Shprehëm përkushtimin e plotë të institucioneve të Kosovës për procesin e dialogut, të bazuar në ruajtjen e sovranitetit, rendit kushtetues, integritetit territorial dhe funksionalitetit të Kosovës, të cilat janë të paprekshme.”

Tutje theksoi se është folur edhe për veprimet destabilizuese të Serbisë, përmes fuqizimit të strukturave ilegale të saj në Kosovë, frikësimit të qytetarëve serbë dhe nxitjes së grupeve kriminale për ta cenuar rendin dhe ligjin në veri.

“Kosova mbetet e angazhuar, në koordinim me partnerët ndërkombëtar, për paqe, stabilitet dhe për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit. Ndërkaq, Presidenti Macron potencoi përkrahjen e tij për paqe, siguri dhe stabilitet në Kosovë dhe rajon”, u shpreh Osmani.

Po ashtu presidentja Osmani, tha se ka ritheksuar rëndësinë e përfundimit të procesit të liberalizimit të vizave përgjatë presidencës çeke të Këshillit të BE-së.

“Kërkuam edhe vazhdimin e mbështetjes së Francës për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata tjera ndërkombëtare”, tha Osmani.

Përgjatë këtij forumi, Osmani do t’i drejtohet panelit të diskutimit mbi bashkëpunimin në kohë kritike për kontinentin tonë bashkë me presidenten e Hungarisë, Katlin Novák, si dhe Jean-Marie Guéhenno.

Krahas aktiviteteve të forumit, presidentja Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me liderë tjerë për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit për tejkalimin e sfidave aktuale të paqes dhe sigurisë.

Në anën tjetër Kurti ka deklaruar se është i gatshëm dhe i përgatitur për marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke në qendër, derisa ka thënë se në tavolinë janë dy propozime.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me Macron, raportohet se është parë të jetë nervoz teksa ka folur para gazetarëve.

Ai ka thënë se sipas të gjitha gjasave nuk do të takohet në Paris me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Vuçiq foli për seriozitetin e qasjes për zgjidhjen e problemeve në Kosovë, por edhe për frustrimin e njerëzve që jetojnë në një atmosferë, sipas tij, ku nuk është arritur asgjë për 10 vjet.

Go to TOP