Substanca e dyshimtë e koktej molotovit në Kishnicë, Policia arreston dy persona të dyshimtë
Policia e Kosovës është deklaruar edhe një herë në lidhje me hedhjen e substancës së dyshimtë që dyshohet se ishte koktej molotovit në drejtim të një shtëpie në Kishnicë gjatë mbrëmjes së kaluar.
Nga Policia e Kosovës është theksuar se janë duke vijuar veprimet hetimore të ndërmarra nga ana e hetuesve policor dhe se sot është arritur të identifikohen dhe arrestohen dy persona të dyshimtë si të implikuar në rast.
“Kësisoj të dyshuarit, që të dy të mitur me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, janë dërguar në qendrën e mbajtjes”,thuhet në njoftimin për media.
Aktualisht hetimet janë duke u zhvilluar në drejtim të veprës penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, përderisa dyshohet që ngjarjes t’i kenë paraprirë mosmarrëveshjet e vazhdueshme në mes të ankueses dhe të dyshuarve për shfrytëzimin e parkut publik në hyrje të fshatit, respektivisht në afërsi të shtëpive të të dyja palëve.

