“Rritja ekonomike dhe krijimi i 35 mijë vendeve të punës”, prezantimi i Bislimit në Samitin e “The Economist”
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka marrë pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor “The Western Balkans Summit 2022”, e cila është organizuar në Pristhinë nga revista prestigjioze “The Economist”, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.
Në fjalën e tij në këtë samit, Bislimi ka prezantuar si arritje të Kosovës rritjen ekonomike prej 10.7 për qind të vitit të kaluar.
Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, bëhet e ditur se zëvendëskryeministri Bislimi ka folur edhe për krijimin e vendeve të reja të punës, ku ka thënë se janë krijuar 35 mijë të tilla.
“Në lidhje me arritjet e këtyre objektivave, zëvendëskryeministri tha se rrëfyes dhe tregues të suksesit janë rritja ekonomike prej 10.7%, rritja e të hyrave buxhetore me 30%, rritja e eksporteve me 2/3, rritja e investimeve të huaja direkte me 22% dhe krijimi i 35.000 vendeve të reja të punës, ku 10.000 prej tyre janë vende të punës të formalizuara, duke ditur dhe vështirësitë në reduktimin e ekonomisë informale, por edhe sa e rëndësishme është kjo për ambientin e biznesit”, thuhet në komunikatë.
Kujtojmë se Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në shtator të këtij viti ka thënë se pritet që Bruto Produkti Vendor i Kosovës të rritet për 4 për qind në vitin 2022, ndërsa rritja ekonomike e Kosovës, sipas BERZH-it do të bie në 3.7 për qind për vitin 2023.
