Haradinaj: E mundshme që marrëveshja finale në dialog të arrihet para dhjetorit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se dialogun Kosovë-Serbi e përfundojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për Klan Kosovën, ai ka deklaruar se dialogun nuk e përfundon kryeministri Albin Kurti.
“Dialogun e përfundon Amerika, ne nuk kemi nevojë hiç t’i biem rrotull kësaj pune, dialogun e përfundon Amerika. Ne e përfaqësojmë kauzën tonë në mënyrën më të mirë, siç kemi ditur ta përfaqësojmë në çdo kohë. Por dialogun nuk e kryen Albin Kurti, nuk ka lidhje kryeministri ka lidhje në çfarë cilësie ose në cilën situatë kemi arritur ne si Kosovë, sa kemi mbërri ta ndërtojmë rastin tonë tek administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Haradinaj.
Tutje, ai ka pohuar: “Rruga nuk është e thjeshtë, reale është të arrihet marrëveshja përfundimtare në pak ditë dhe në pak javë, besoj që po”.
Haradinaj ka deklaruar se është duke u bërë ofensivë ndërkombëtare që sa më shpejtë të mbyllet dialogu Kosovë-Serbi.
“Nuk besoj që sot duhet të bazohemi në gatishmërinë apo mosgatishmërinë e qeverisë sonë, nuk është një proces vetëm i yni, nëse rritet intensiteti i angazhimit, besoj se Kurti nuk ka ku ik pa u përball me këtë gjendje, edhe në këtë situatë unë nuk e lë vetëm. Është çështje e interesit nacional, një ofensivë e madhe ndërkombëtare ekziston për ta përmbyllur këtë çështje. Në rast se dijë t’i lexoj gjërat, ashtu siç di telefonata e Blinken nuk është diçka e thjeshtë, për këtë besoj jemi në fazën finale në ditët dhe javët para një marrëveshjeje”, ka thënë Haradinaj.
Kur u pyet se a është e mundur që marrëveshja finale në procesin e dialogut të bëhet para dhjetorit, ai është shprehur: “po është e mundshme”.
