Ukraina akuzon ushtarët rusë për plaçkitjen e gati 40 muzeve
Pushtimi rus i Ukrainës po shoqërohet me shkatërrimin dhe plaçkitjen e vendeve historike dhe thesareve në shkallë industriale, thonë zyrtarët.
Muzetë tani po prezantojnë kopje në vend të disa prej artefakteve të tyre më të çmuara. /rel/

Punëtorët e fshehën diademën Hun dhe qindra thesare të tjera në shkurt, kur trupat ruse sulmuan qytetin jugor, Melitopol. Por, pas disa javë kërkimesh të përsëritura, ushtarët rusë zbuluan bodrumin e fshehtë të ndërtesës, ku stafi i kishte çuar objektet më të çmuara të muzeut.


Kur forcat ruse kërkuan, pa sukses, të rrethonin kryeqytetin, Natalia Panchenko, drejtoresha e Muzeut të Thesareve Historike të Ukrainës në Kiev, jetoi në muze me shpresën për të siguruar artefaktet e tij.
“Ne kishim frikë nga pushtuesit rusë, sepse ata shkatërrojnë gjithçka që mund të identifikohet si ukrainase”, tha ajo.

Sipas Panchenkos, shumë prej objekteve të muzeut janë zhvendosur dhe kopjet tani zënë vendet e tyre të mëparshme.
“Këto gjëra ishin të brishta. Ato mbijetuan qindra vjet”, tha ajo. “Ne nuk mund ta duronim mendimin se ato mund të humbnin.”

Ministri i Kulturës i Ukrainës, Oleksandr Tkachenko, në një intervistë për AP-në, pretendon se ushtarët rusë kanë plaçkitur mijëra artefakte nga rreth 40 muze në Ukrainë.

Tkachenko tha se grabitja dhe shkatërrimi i vendeve kulturore ka shkaktuar humbje të vlerësuara në qindra miliona dollarë.
“Qëndrimi i rusëve ndaj trashëgimisë kulturore ukrainase është një krim lufte”, tha Tkachenko për AP-n.


