Raporti i BE-së ua përmend zyrtarëve të lartë sulmet ndaj gazetarëve, s’ka progres në lirinë e medias

Është publikuar raporti i Komisionit Europian për Kosovën, ndërsa të gjeturat e tij lënë ende shumë vend për përmirësim në segmente të ndryshme të shtetit. Një prej tyre ka të bëjë edhe me lirinë e mediave dhe gazetarëve.
Në raportin e Komisionit Europian përmendet fakti se sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës gjatë vitit 2021 ka pasur 29 sulme, kërcënime dhe shpifje publike ndaj gazetarëve. Ndërsa gjithashtu përmendet se: “në vitin 2022 deri më 27 qershor janë raportuar pesë raste të shpifjeve publike ndaj gazetarëve, kryesisht nga zyrtarë të nivelit të lartë publik.”.

Gjithashtu, sipas raportit, gjykimi i çështjeve që kanë të bëjnë me sulmet ndaj gazetarëve janë të ngadalta, dhe gjithashtu përmenden edhe linçimet dhe shpifjet e politikanëve ndaj mediave.

“Gjykimi i çështjeve mbetet i ngadaltë. Sipas Asociacionit ka pasur rritje të deklaratave nënçmuese dhe shpifjeve të bëra nga politikanët që synojnë mediat, duke minuar publikisht besimin në raportimin gazetaresk dhe sigurinë e gazetarëve. Gjatë periudhës raportuese, AGK ka regjistruar së paku dy raste të Kontesteve Strategjike kundër Padive për Pjesëmarrje Publike të ngritura nga figura publike kundër gazetarëve”, thuhet në këtë raport.

Sa i përket mjedisit legjislativ thuhet se Kushtetuta e garanton lirinë e shprehjes dhe mediat, por përmendet se Kuvendi ende nuk e ka miratuar Ligjin për Transmetuesin Publik dhe Komisionin e Pavarur për Media.

Aty gjithashtu thuhet se Ligji për Mbrojtjen e Burimeve të gazetarëve kërkon ndryshime për qartësimin e dispozitave në lidhje me vendimet gjyqësore që detyrojnë gazetarët të deklarojnë burimin, duke u siguruar që ato të jenë në përputhje me standardet evropiane.

Ajo çfarë përmendet në këtë raport është gjithashtu se numri i mediave online të paregjistruara në Këshillin e Mediave të Shkruara është rritur. Gjithashtu thuhet se për Komisionin e Mediave të Shkruara është esenciale qëndrueshmëria financiare dhe burimet adekuate në mënyrë që të funksionojë.

Go to TOP