Inspektorët në terren, kontrollohet nëse ka ngritje të çmimeve të pajisjeve për ngrohje

Komuna e Prishtinës, Fushë Kosovës, Gjakovës, Mitrovicës dhe disa komuna më të vogla si Hani i Elezit, Dragash, Kaçanik etj., sot kanë qenë cak e inspektimeve për çmimet e pajisjeve për ngrohje.

Përmes një njoftimi, ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka bërë të ditur se inspektorët kanë dalë në terren dhe kanë verifikuar çmimet.

 “Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përmes Inspektoratit të Tregut në bashkëpunim me inspektorët e tregut komunal, sot kanë inspektuar disa operatorë ekonomik me qëllim të verifikimit nëse ka pasur manipulime dhe ngritje të çmimeve të pajisjeve, të cilat do të subvencionohen nga Qeveria e Republikës së Kosovës respektivisht Ministria e Ekonomisë”, njofton ministria.

Operatorëve ekonomikë u është kërkuar të prezantojnë dokumente të nevojshme nëse kanë rritur çmimet e pajisjeve për ngrohje, dhe me pas do të verifikohen.

“Inspektorët e tregut kanë arritur të sigurojnë çmimet aktuale dhe i kanë detyruar operatorët ekonomikë që të prezantojnë dokumentacionin e nevojshëm me ç’rast do të vërtetohet nëse ka ngritje të pajustifikueshme të çmimeve të pajisjeve në veçanti pompave termike, inverter, kalldaja, stufa etj.”, thotë mes tjerash njoftimi.

Inspektorët e tregut kanë njoftuar bizneset që do të inspektohen dhe do të ndërmerren masa në çdo  rast kur konstatohet që ka ngritje të çmimeve të pa arsyeshme e sidomos tani kur rritet kërkesa për produktet e lartcekura, për shkak të thirrjes për subvencionim.

Go to TOP