Ivan Safronov: Gazetari rus dënohet me 22 vjet burg me akuza për tradhti
Një gazetar investigativ rus është dënuar me 22 vite burg për akuzën e “tradhtisë së lartë”.
Sipas mediave të huaja, Ivan Safronov u shpall fajtor për dhënien e sekreteve ushtarake ruse tek inteligjenca çeke.
Ai i ka hedhur poshtë akuzat.
Safronov punoi si gazetar për një dekadë, duke mbuluar çështjet ushtarake dhe të sigurisë për të përditshmen kryesore ruse të biznesit Kommersant, përpara se të bëhej këshilltar i kreut të korporatës ruse të hapësirës Roscosmos në maj 2020.
Ai deklaron se gjatë punës së tij ka mbledhur informacione nga burime të hapura dhe nuk ka bërë asgjë të paligjshme.
Roscosmos ka thënë gjithashtu se Safronov nuk kishte qasje në sekretet shtetërore dhe thotë se akuzat nuk kishin të bënin me punën e tij.
Ish-gazetari kishte refuzuar edhe ofertën e prokurorëve për të pranuar një gjë të tillë dhe për të marrë një dënim me 12 vjet.
Aktivistët e të drejtave të njeriut kanë bërë thirrje për lirimin e Safronovit, disa duke pretenduar se Moska mund të ketë dashur ta heshtë pasi raportimi i tij ekspozoi incidentet ushtarake ruse dhe marrëveshjet e fshehta të armëve.
Ata që akuzohen për tradhti në Rusi shpesh e kanë të vështirë të mbrohen për shkak të fshehtësisë që rrethon rastet e tyre dhe mungesës së qasjes publike në informacion.
Babai i Safronov gjithashtu punoi për Kommersant duke mbuluar çështjet ushtarake pas tërheqjes nga forcat e armatosura.
Në vitin 2007, ai vdiq pasi ra nga dritarja e ndërtesës së tij të banesës në Moskë.
