Krasniqi, Kurtit: Takohemi vetëm për marrëveshjen finale për njohjen e ndërsjellë
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i ka kthyer përgjigje përmes një letre, kryeministrit Albin Kurti, lidhur me takimin e nesërm me përfaqësues të partive opozitare.
Siç shkruan në dokument, Krasniqi i ka thënë Kurtit, se mbetet i hapur të takohet në momentin kur të jetë në procesin e diskutimit konkret për arritjen e një marrëveshjeje finale me njohje të ndërsjellë.
”Aktualisht, e tëra që po shohim është se dialogu ka rrëshqitur në nivel teknik, duke përfshirë riciklimin e marrëveshjeve të kaluara. Sa i takon zbatimit të përgjegjësive që keni si udhëheqës i Dialogut, unë ju inkurajoj që të vazhdoni angazhimin tuaj dhe te qeverisë për respektim të vendimeve të ligjshme që sigurojnë reciprocitet në raport me Serbinë, si dhe sundim të ligjit dhe lëvizje të lirë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Por, nuk konsideroj se në këtë moment ka një situatë emergjente për t’u takuar e për të diskutuar për këto përgjegjësi tuajat. Megjithatë, unë mbetem i hapur dhe i gatshëm që të takohem me ju në momentin kur të ketë avancim të procesit të Dialogut dhe diskutim konkret për arritjen e marrëveshjes finale, që ka për qëllim njohjen e ndërsjellë”, ka thënë kreu i PDK-së Memli Krasniqi.

