Marrëveshja për lirinë e lëvizjes

Shkruan: Naza KRASNIQI

Marrëveshja e arritur me dialog në mes Kosovës dhe Serbisë në 2011, që do të zbatohet nga Shtatori i vitit 2022, është një hap i rëndësishëm për të ardhmen e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Zbatimi i marrëveshjes së Lirisë së lëvizjes është pjesë e lirive elementare të shteteve demokratike, ku siguron që të gjithë qytetarët duhet të trajtohen barabartë.

Marrëveshja për njohjen e dokumenteve të identifikimit bazuar mbi parimin e barazisë dhe reciprocitetit nga Serbia domethënë njohjen reciproke të dokumenteve identifikuese për lëvizjen e lirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pra një lëvizje përpara dhe shpresojmë që edhe marrëveshja finale të jetë ne favor të Republikës së Kosovës, që është proces e sipër Asociacioni.

Asociacioni është e vetmja metodë, që ka mbetur për ta goditur sovranitetin e Republikës së Kosovës, sepse të gjitha rrugët janë mbyllur nga pala kosovare-për kompromis në dëm të sovranitetit të Kosovës.

Kosova është në momentet vendimtare për të fituar luftën politike pas fitores së gjitha betejave politike dhe ushtarake ndaj Serbisë, që nga viti 1999 e këndej.

Serbia po tenton destabilizimin e veriut, duke planifikuar ofrimin e forcave ushtarake dhe policore në kufirin e Kosovës, e sidomos në veri.

Serbia dëshiron t’i provokojë institucionet e sigurisë në Kosovë, që Policia e Kosovës të intervenojë në veri, e serbët e Kosovës t’i përdorë si viktimë, që pastaj të intervenojë KFOR-i në veri.

Veriu do të mbetet vetëm në duar te sigurisë së KFOR-it. Kjo gjendje po i duhet Serbisë me qëllim, që pastaj pas marrjes nën kontrollë të veriut nga forcat e KFOR-it, menjëherë përmes Borellit dhe Lajqakut të veprojë për themelimin e Asociacionit, duke arsyetuar te ndërkombëtarët, se policia e Kosovës po i përndjek dhe po i vret qytetarët serbë, se vetëm krijimi i Asociacionit është shpëtim për serbët e mbetur në territorin e Kosovë.

Prandaj, deklarata e Borellit pas dështimit të marrëveshjes së 18 Gushtit, se palët do jenë përgjegjëse për gjendjen e tensionuar në Mitrovicë, lë shumë për të kuptuar, që gjendja mundet të tensionohet dhe mundet të ketë̈ kriza që munden të jenë në dëm të Republikës së Kosovës.

Për këto 23 vite Kosova ka fituar gjitha betejat politike ndaj Serbisë, duke filluar nga marrëveshja e parë e fitores së Kosovës ndaj Serbisë, e që ishte marrëveshja e Rambujesë, kapitullimi në Kumanovë i Serbisë, duke vazhduar me humbjen e betejës për parandalimin e shpalljes së pavarësisë së kushtëzuar, marrëveshjen e Ahtisarit, inicimi i kërkesës së Serbisë në gjykatën ndërkombëtare kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës, humbja e betejës në parandalimin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës e deri më sot.

Të gjitha këto janë fitore të Kosovës ndaj Serbisë, por kemi ardhur në përfundim të betejave dhe në finalen kryesore të fitores së luftës politike.

Në këtë finale është Kurti, a do të jetë ky lider që do ja vendos flamurin e fitoreve përfundimtare me fitoren e luftës politike ndaj Serbisë, apo do jetë lideri, që të jep autogolin e parë dhe final të Republikës së Kosovës dhe do ja mundësoj Serbisë, me apo presion ndërkombëtare, fitoren e parë të luftës politike ndaj Kosovës pas shumë e shumë betejave të humbura politike dhe ushtarake, që prej 1999 e këndej, mbetet të shihet në muajt në vazhdim!

Sa më larg marrëveshjes finale aq më larg do jetë cenimi i sovranitetit, sa më afër marrëveshjes për asociacionin, aq më afër do jetë cenimi i sovranitetit të Kosovës.

Go to TOP