Gjykata lë në burg dy rusët dhe ukrainasin e arrestuar në Shqipëri

Gjykata e Elbasanit ka lënë në burg dy rusët dhe ukrainasin të arrestuar në uzinën e armëve në Gramsh, pasi sulmuan dy ushtarë të Shqipërisë.

Gjykata dha masën e sigurisë “arrest me burg” për të tre personat e arrestuar në flagrancë.

Mbi dy shtetasit rusë, 33 vjeçaren Svetlana Timofoeva, 23 vjeçarin Mikhail Zorin dhe ukrainasin Fiodor Mihailoviq rëndojnë akuzat “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Goditja për shkak të detyrës”, teksa u vlerësua i ligjshëm arrestimi i tyre.

Gjyqtarja e rastit, Pajtime Fetau tha se pas shqyrtimi të provave të sjella nga prokuroria u gjykua se dyshimet e akuzës janë të bazuara.

Seanca e gjykimit të këtyre tre shtetasve të huaj u zhvillua me dyer të mbyllura, pasi konsiderohet që ka sekrete shtetërore në hetim.

Të shtunën e 20 gushtit, këta tre persona tentuan të futen në uzinën e Gramshit, ku u ndaluan nga dy roje ushtarake, të cilët ata i sulmuan me sprej neuroparalizues. Të dy ushtarët kanë përfunduar në spital për shkak të sulmit, me dëmtime të lehta në fytyrë.

Ata, në dëshmitë e tyre kanë thënë se janë fotografë dhe se kanë blog ku postojnë kryesisht foto dhe video të ish-bazave ushtarake të Bashkimit Sovjetik.

Ata kanë thënë se fotografojnë kryesisht territore ushtarake që janë të braktisura dhe që nuk përdoreshin më nga shteti. Gjithashtu, ata kanë treguar se kanë fotografuar bunkerë dhe tunele të nëndheshme, si dhe vende të uzinës e territore të braktisura.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka thënë se rasti po hetohet me seriozitet.

Opozita në Shqipëri ka kritikuar institucionet e sigurisë së vendit për këtë ngjarje, duke thënë se është cenuar siguria kombëtare.

Go to TOP