Haradinaj-Stublla reagon për incidentin në Gramsh, thirrje për veprim për rusët në Kosovë

Ish – ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka reaguar për incidentin me shtetasit rus në uzinën e armëve në Gramsh.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se sorollatjet e rusëve në territoret shqiptare nuk janë risi dhe bazën e kanë në Nish të Serbisë.
Ajo ka thënë se ka dyshime të bazuara se e ashtuquajtura “Qendër Humanitare Ruso-Serbe” në Nish është epiqendër potenciale e spiunazhit, ndërsa mbetet e paqartë nëse Qeveria e Serbisë u ka aprovuar statusin e imunitetit diplomatik stafit të kësaj qendre.

Haradinaj-Stublla ka përmendur dhe “Zyre Ndërlidhëse ruse” në Prishtinë, e cila thotë se nuk do të duhej të ekzistonte më në Kosovë.

Po ashtu, ka bërë thirrje që Kosova të rishikojë opsionet ligjore të akreditimit dhe imunitetit diplomatik të zyrtarëve të UNMIK-ut, ku shumë rusë kanë gjetur strehë.

Postimi i saj i plotë:
Sorollatjet e operativëve rus nëpër territoret shqiptare nuk janë risi, dhe bazën nuk e kanë në Moskë të Rusisë por në Nish të Serbisë:

– E ashtuquajtura “Qendër Humanitare Ruso-Serbe” në Nish është vetëm 95km distancë ajrore me Prishtinën, dhe vetëm 280km me Tiranën. Ka dyshime të bazuara se kjo qendër kontraverse është epiqendër potenciale e spiunazhit, ndërsa mbetet e paqartë nëse Qeveria e Serbisë u ka aprovuar statusin e imunitetit diplomatik stafit të kësaj qendre.

– Rusia po ashtu mirëmban një të ashtuquajtur “Zyre Ndërlidhëse” në Prishtinë, e cila zyrtarisht është pjesë e Misionit Diplomatik Rus në Beograd, dhe të cilën institucionet e Kosovës asnjëherë nuk e kanë aprovuar formalisht. Pas luftës në Ukrainë, incidenteve në veri, dhe shpalljes non-grata të dy zyrtarëve rus nga MPJ e Kosovës, kjo zyre do të duhej tashmë të mos ekzistonte.

– Po ashtu, Kosova do të duhej të rishikojë opsionet ligjore të akreditimit dhe imunitetit diplomatik të zyrtarëve të UNMIK-ut (sidomos pas vendimit të GJND-së), ku viteve të fundit shumë zyrtarë e operativë rus kanë gjetur strehë dhe janë infiltruar në incidentet në veriun e Kosovës.

Go to TOP