Policia demanton mediat serbe: S’po ndalohen dhe maltretohen qytetarët në veri

Policia e Kosovës i ka demantuar mediat serbe të cilat kanë raportuar se kinse Policia e Kosovës në veri të Mitrovicës po ndalon dhe maltreton qytetarët gjatë ushtrimit të detyrave policore.

Përmes një reagimi publik të lëshuar në orët e vona të mbrëmjes, Policia i quan këto informata të rreme që kanë për qëllim dezinformimin dhe krijimin e pasigurisë te qytetarët.

“Ju sigurojmë se Policia e Kosovës përmes realizimit të detyrave dhe autorizimeve policore ka të vetmin qëllim, parandalimin dhe luftimin e të gjitha llojeve të krimit dhe kontrabandës, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallime”.

Policia po ashtu ka bërë të ditur se zyrtarët policorë kufitarë në një pikë kontrolli ënë veri janë penguar për ta kryer detyrën nga një person në gjendje të dehur.

“Gjatë realizimit të detyrave policore në një pikë kontrolli në veri të Mitrovicës, zyrtarët policorë kufitar  janë penguar në kryerje të detyrës nga një person i cili ishte në gjendje të dehur, e i cili sipas procedurave policore është shoqëruar në stacion policor. Të gjitha veprimet ndaj të njëjtit do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”.

Policia e Kosovës ju bën thirrje qytetarëve që të mos bien pre e informacioneve të pasakta.

Këtë thirrje ditëve të fundit e ka bërë edhe Qeveria e Kosovës duke iu kërkuar qytetarëve që t’i besojnë vetëm informacioneve zyrtare të lëshuara nga institucionet.

Go to TOP