Haxhiu falënderon deputetët që votuan tetë nisma ligjore kundër korrupsionit
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha sot se identifikimi, parandalimi dhe luftimi i korrupsionit u bë më i lehtë gjatë muajit korrik.
Kjo pasi Kuvendi i Kosovës ka miratuar tetë nisma ligjore, për çka ministrja i falënderoi deputetët në një konferencë për media.
“Muaji korrik ishte muaji i finalizimit dhe përfundimit të shumë nismave ligjore me të cilat edhe do ta fillojë këtë konferencë, për ta vazhduar më pas me të arriturat konkrete në fushën e profesioneve të lira siç janë noteria, përmbarimi dhe ndërmjetësimi”, tha ajo.
Haxhiu tregoi rëndësinë e projektligjeve të miratuara.
“Siç e dini top prioriteti i Ministrisë së Drejtësisë mbetet lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, muaji korrik shënoi miratimin e tetë nismave të rëndësishme ligjore në qeveri dhe kuvend, shumë prej këtyre nismave kishin të bëjnë me luftën kundër korrupsionit me çka falënderoj deputetët e Kosovës që miratuan ligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe dhuratave, projektkodin e procedurës penale dhe projektligjin për parandalimin e korrupsionit. Mirëpo, gjithashtu në lexim të parë u miratua njëri nga projektligjet më të rëndësishme ai për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë të pajustifikuar”, tha ministrja.
“Përmes këtyre projektligjeve dhe nismave synohet që të fuqizohen tutje institucionet përgjegjëse të cilat do të ndihmojnë në zbatimin e legjislacionit si një formë adekuate e identifikimit, parandalimit dhe luftimit të korrupsionit. Po ashtu synohet edhe themelimi i mekanizmave profesional e të pavarur të cilët do të jenë kompetent për inicimin dhe verifikimin e pasurisë të personave zyrtarë e cila edhe mund të konfiskohet me vendim të Gjykatës nëse e njëjta nuk mund të justifikohet” tha Haxhiu.
Haxhiu për Specialen: E kemi gjetur fakt të kryer, përgjegjës të mbahen ata që ua kishin ndrydhur duart deputetëve në kohën kur u themelua
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklaroi sot se Qeveria Kurti nuk mund të mbajë përgjegjësi për Gjykatën Speciale, pasi “e kemi gjetur fakt të kryer”.
Në një konferencë për media, Haxhiu tha se përgjegjës mund të mbahen ata që në kohën kur është themeluar Specialja, “ua kishin ndryshuar duart deputetëve të Kuvendit të Kosovës”.
Këto komente ajo i bëri pasi u pyet se çfarë rezultate pret pas paralajmërimit se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do t’i drejtohet Këshillit të Evropës për rezolutën kundër Dick Martyt, të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë para dy dite.
Ministrja u shpreh se e mirëpret miratimin e kësaj rezolute, por se sipas saj, është herët të japë qëndrim se a do të japë rezultate.
“Është herët të japë një qëndrim për këtë. Por, ju e dini që Specialen e kanë futur në Kushtetutën e Kosovës. Ne Gjykatën Speciale e kemi gjetur si fakt të kryer. Nuk mund të mbahemi përgjegjës si qeveri për këtë”.
“Përgjegjës mund të mbahen ata që në atë kohë ua kishin ndryshuar duart deputetëve të Kuvendit. Janë pikërisht ata që akuzojnë qeverinë tonë, por duhet të japin përgjegjësi për veprimet që i kanë bërë”, deklaroi Haxhiu para mediave.
Përmbaruesit privat i hiqet licenca, Haxhiu: Po ndodh për herë të parë, Komisionit disiplinor ia kemi lënë duart e lira
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, njoftoi sot se për herë të parë kanë marrë vendim që një përmbaruesi t’i liqet licenca.
Përmes një konference për media, Haxhiu tregoi se Komisioni Disiplinor për përmbarues privat në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, ka konstatuar se përmbaruesi privat në vazhdimësi ka kryer shkelje disiplinore.
“Është hera e parë që dje një përmbaruesi privat ia kemi hequr licencën. Komisioni Disiplinor për përmbarues privat në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, me rastin e shqyrtimit të kësaj çështje, ka gjetur se përmbaruesja private ka kryer shkelje disiplinore në mënyrë të përsëritur ka marrë vendim për shkarkim nga detyra”, u shpreh ajo.
Ministrja tutje tha se një vendim i tillë po ndodh për herë të parë, sepse “Komisionit ia kemi lënë duart e lira”.
Ajo nuk pranoi të japë më shumë detaje lidhur me rastin, pasi tha se vendimi do të publikohet shumë shpejt në webfaqen e ministrisë.
“Është rasti të kuptojnë të gjithë se ata që punojnë në kundërshtim me ligjin, s’mund t’i kryejnë detyrat që ia ka besuar shteti i Kosovës. U bëj thirrje qytetarëve që të raportojnë rastet e keqpërdorimeve nga përmbaruesit privatë apo noterët”.
“Kemi shumë ankesa nga qytetarët për përmbarues dhe noterë. Do të bashkëpunojmë me odat për përmbarues dhe noterë, por i thërrasim të jenë në shërbim të qytetarëve në disiplinimin e përmbaruesve dhe noterëve”, përfundoi Haxhiu.
