Është mbajtur mbledhja e parë e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi të Komunës së Prizrenit
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), i kryesuar nga kryetari Shaqir Totaj, ka mbajtur sot mbledhjen e parë në sallën e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Prizrenit, transmiton Kosova.info.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, kryetari Totaj i falënderoi ata për aktivizmin qytetar dhe bashkëpunimin me të gjitha institucionet e sigurisë në qytetin tonë. Tema që ishte në fokus ishte siguria në shkolla dhe puna për reduktimin e incidenteve. Duke vendosur ndriçim dhe kamera si jashtë oborreve të shkollave ashtu edhe brenda institucioneve arsimore.
Ndërsa përfaqësuesit e policisë së Kosovë deklaroi se policia në bashkëpunim me drejtorinë komunale për arsim patrullojnë vazhdimisht pranë shkollave.
Sa i përket për parandalimin e incidenteve në shkolla, ka pasur shumë programe për nxënësit dhe edukimin e tyre, mirëpo, gjatë takimit të sotëm përfaqësuesit e bashkësive fetare kërkuan që së paku një herë në vit të marrin pjesë së bashku me zyrtarët fetarë në tubime me nxënës.
Ka pasur edhe propozime për shtimin e patrullimit përgjatë rrugës “Adem Jashari”, ku ka një numër të madh të bizneseve dhe koncentrim të argjendarive.
Kryetari Shaqir Totaj, premtoi se këto çështje do të trajtohen me prioritet si dhe do të zhvilloj takime të tjera me anëtarët e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, sipas nevojës, në të ardhmen.
