Hovenier: Mbetemi të palëkundur për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë janë arsyet pse ShBA-ja ka qenë një përkrahëse e hershme, e flaktë dhe e përkushtuar e Pavarësisë së Kosovës.
Ai shtoi se shteti i tij mbetet i palëkundur për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
Këto komente ambasadori Hovenier i ka bërë gjatë pritjes që iu bëri shumë mysafirëve të ftuar në Ambasadën Amerikane në Prishtinë për të shënuar 246-vjetorin e Pavarësisë së ShBA-së.
“Ajo paraqet një citim premtues amerikan: “Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme, se të gjithë burrat -dhe unë po shtoj në mënyrë redaktuese – dhe të gjitha gratë janë krijuar të barabartë që të janë të pajisur nga krijuesi i tyre me disa të drejta të patjetërsueshme, siç janë; jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë”. Ky premtim udhëzon edhe politikën e jashtme amerikane, jashtë kufijve tanë dhe kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara kanë qenë një përkrahëse e hershme, e flaktë, e përkushtuar e pavarësisë së Kosovës”.
“Prandaj ne mbetemi të palëkundur siç kemi qenë gjithmonë dhe duke mbrojtur sovranitetin, integritetin territorial të Kosovës. Pra, sot, ndërsa ne festojmë 246 vjetorin e Shteteve të Bashkuara si një shtet i lirë, sovran dhe i pavarur, ne gjithashtu festojmë së bashku, 14 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe përparimin e jashtëzakonshëm që keni arritur në këtë periudhë të shkurtër kohore”, ka thënë ai.
Ambasadori Hovenier tha para të pranishmëve se 46 vjet më parë, 56 përfaqësues nga 13 koloni amerikane u mblodhën në Filadelfia dhe ratifikuan atë që atëherë konsiderohej si një dokument radikal, Deklaratën e Pavarësisë, ku u shpall statusi i kolonive si shtete sovrane të pavarura.
Sipas tij, kjo jo vetëm që ishte hapi i parë në formimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por përshkroi dhe përshkruan aspiratat dhe vlerat e tyre si popull, për të cilat vazhdojnë të përpiqen dhe të punojnë sot.
Në një ambient të ngrohtë e të dekoruar, Ambasada Amerikane në Prishtinë ftoi shumë mysafirë nga jeta politike, shoqërore e kulturore për të shënuar 246-vjetorin e Pavarësisë së ShBA-së.
Aty u pa presidentja e Kosovës Vjosa Osmani me bashkëshortin dhe dy vajzat e saj, si dhe kryeministri Albin Kurti me bashkëshorten e tij.
Po ashtu u pa edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, drejtues të subjekteve politike, deputetë, ish-deputetë, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve.
