Shpenzimet e kryeministrit Kurti gjatë vizitës zyrtare në SHBA
Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur shpenzimet e kreut të Qeverisë, Albin Kurti dhe shefit të stafit të tij, Luan Dalipi gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po ashtu edhe shpenzimet në total të delegacionit të Kosovës në këtë vizitë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), për akomodim ka shpenzuar 4 mijë e 853 euro e 63 cent, ndërsa për biletë ka shpenzuar 4 mijë e 279 euro, ndërsa për shpenzime tjera, janë gjithsej 172 euro e 12 cent.
Të gjitha këto shpenzime të kreut të Qeverisë, në total janë 9 mijë e 304 euro e 80 cent. Këtë e ka konfirmuar Zyra e Kryeministrit për PortaliD.
Ndërsa për këtë vizitë, Kurti nuk ka marrë mëditje, përderisa shefi i stafit të kryeministrit, Luan Dalipi ka marrë mëditje në vlerë prej një mijë euro e 617.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në RTV Dukagjini kishte deklaruar se kryeministri Kurti nuk merr mëditje për udhëtimet e tij jashtë vendit.
Sipas tij, Kurti, prej së është zgjedhur i pari i ekzekutivit asnjëherë nuk ka marrë mëditje.
Dalipi për akomodim ka shpenzuar katër mijë e 770 euro e 97 cent, ndërsa për biletë dy mijë e 984 euro e 75 cent, ku gjithsej edhe me shpenzime tjera, në total ka shpenzuar nëntë mijë e 480 euro e 94 cent.
Kryeministri Kurti, vizitën e tij në ShBA, e kishte filluar me gjashtë maj, ku ka takuar sipërmarrës, senatorë e bashkatdhetarë.
Gjatë qëndrimit në Amerikë, Kurti kishte takime më përfaqësues të kompanive teknologjike e me drejtoreshën e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit.
Këtë vizitë, ai e kishte përfunduar me 23 maj, për të cilën kishte thënë se ka qenë vizitë mjaft e frytshme.
Ndërsa, pas përfundimit të vizitës së tij në ShBA, ai ka udhëtuar drejt Zvicrës për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror, që është mbajtur në Davos.
Ndryshe, që nga marrja e mandatit si kryeministër, kjo ishte vizita e parë zyrtare e Kurtit në ShBA.
