Pas mbylljes së korridorit Suwaki, Rusia kërcënon anëtaren e NATO-së

Situata midis Rusisë dhe Lituanisë po lëviz drejt një përkeqësimi të thellë pas bllokimit të korridorit Suwaki përmes së cilës bëhej transiti i mallrave nga Rusia në enklavën e saj në Kalingrad.

Vendimi i Lituanisë në përputhje me sanksionet e  BE për ndalimin e transportit të mallrave të caktuara përmes territorit të saj ka rikthyer vëmendjen e opinionit ndërkombëtarë   tek ky korridor 65 kilometra që është rruga më e shkurtë midis Kalingradit dhe aleates ruse Bjellorusisë.  Deri para shembjes së BRSS, dhe anëtarësimit të vendeve Baltike në NATO ky rrip i ngushtë në kufirin e Lituanisë dhe Polonisë nuk kishte ndonjë rëndësi të veqantë strategjike.  Por ndryshimet gjeopolitike kanë quar në atë që ky korridor të bëhet vendi i rëndësishëm strategjik si për aleancën e NATO-së ashtu edhe për Rusinë. Sipas shumë analistëve pikërisht kjo hapësirë mund të jetë vend i fillimit të një lufte hipotetikisht të tretë botërore. Lituania ka pezulluar transportin hekurudhor nga Rusia në enklavën e saj e cila ka një milion banorë. Vilnius thotë se  ka bërë gjithçka në përputhje me sanksionet e BE-së dhe në marrëveshje me Komisionin Evropian, dhe Moska ka kërcënuar me luftë nëse e vetmja lidhje tokësore midis Rusisë dhe Kaliningradit nuk rivendoset.    Hekurudhat lituaneze pezulluan tranzitin e mallrave nga Rusia në Kaliningrad gjatë fundjavës dhe guvernatori i Kaliningradit, Anton Alikhanov, tha se për momentin bllokada nuk vlen vetëm për tranzitin e naftës dhe produkteve të naftës, por se do të hiqet më 10 gusht.  “Më shumë se 50 përqind e mallrave që vijnë nga Kaliningrad nga Rusia nuk do të jenë të disponueshme tani. Ne ende mund të marrim produkte nga deti, por lidhja tokësore me hekurudhë përmes Lituanisë ishte më e rëndësishmja për ne, ” tha Alikhanov. Ministri i Jashtëm lituanez Gabrielius Landsbergis shpjegoi dje se vendimi për bllokimin e Kaliningradit u mor për shkak të sanksioneve perëndimore dhe në marrëveshje me Komisionin Evropian. 

“Sanksionet evropiane kundër Rusisë janë në pikëpyetje. Hekurudha thjesht iu përmbajt embargos së vendosur. Ata informuan klientët se nuk do të lejohet më transiti i disa mallrave të konsumit, çeliku, hekuri dhe materialet e ndërtimit përmes Lituanisë. Gjithçka është bërë në marrëveshje me Komisionit Evropian dhe sipas udhëzimeve të saj”, tha Landsbergis.

Nga ana tjetër, Andrey Klimov, kryetar i komisionit për mbrojtjen e sovranitetit të Dhomës së Lartë të Parlamentit rus, tha se BE-ja duhet të korrigjojë situatën aktuale ose Moska përndryshe do t’i ketë duart e lira për ta zgjidhur problemin me  të gjitha mjetet e nevojshme. 

“Lituania shkeli marrëveshjen me Rusinë e bërë 20 vjet më parë. Ajo marrëveshje u bë në vitin 2002 dhe kur Lituania u anëtarësua në BE në 2004, ne morëm garanci se do të respektohej. Ajo garantonte tranzitin e mallrave nga Rusia në rajonin e Kaliningradit pa “Megjithatë, Lituania është vetëm një zgjatim i NATO-s në këtë rast, ” tha Klimov. 

Kërkesa për anulimin e pavarësisë së Lituanisë me dispozitat kushtetuese të BRSS!

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha dje se ndalimi i vendosur nga Lituania për tranzitin e mallrave në rajonin e Kaliningradit është i paprecedentë dhe i paligjshëm.

“Ky vendim është me të vërtetë i paprecedentë. Ai shkel të gjitha rregullat e mundshme. Ne e kuptojmë se ai buron nga vendimi i Bashkimit Evropian për të zgjatur sanksionet për tranzitin e mallrave. Megjithatë, ne besojmë se është i paligjshëm”, theksoi Peskov.

Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell  tha se Lituania nuk është fajtore për asgjë, ajo ndjek udhëzimet e Komisionit Evropian. Ne do të kontrollojmë pozitivisht nëse të gjitha këto udhëzime janë të sakta”, tha Përfaqësuesi e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme. Në të njëjtën kohë, Borel theksoi se nuk ka asnjë bllokadë të Kaliningradit, sepse “është ndalur vetëm transporti i atyre mallrave, eksporti, importi dhe tranziti i të cilave është i ndaluar përmes territorit të BE-së”.

Ish KGB-sti, aktualisht sekretar i këshillit të Sigurisë ruse tha se veprimi “armiqësor” i Lituanisë tregon se Rusia nuk mund ti besojë perëndimit. “Rusia gjithsesi do ti përgjigjet në këto veprime armiqësore”, tha Patrushev. “Po merren masat e duhura në një format ndërinstitucional që do të merren në të ardhmen e afërt”, tha ish-oficeri i inteligjencës, duke kërcënuar: “Pasojat e tyre do të kenë një ndikim serioz negativ në popullatën lituaneze”, shtoi ai.   Disa nga analistë ruse konsiderojnë se Rusia mund të anulojë marrëveshjen kufitare me Republikën e Lituanisë nga viti 2003 – dhe kështu kufijtë e Lituanisë do të jenë de jure nuk do të njihen.

Megjithatë përkeqësimi i raporteve ka marrë intensitet që nga 8 qershori kur deputeti i Dumës ruse Yevgeny Fedorov  kërkoi të anulojë njohjen e pavarësisë së Lituanisë duke u bazuar në dispozitat kushtetuese të shtetit të shembur të BRSS duke theksuar se rezoluta e vitit 1991 ishte e paligjshme!. Propozimet e këtij deputeti kanë tërhequr vëmendjen e mediave dhe shoqërisë edhe më parë kur në vitin 2014 ai së bashku me një grup kolegësh kërkuan nga Prokuroria e Përgjithshme të kontrollonin ligjshmërinë e rënies së BRSS!.Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Lituanisë janë në një nivel shumë të ulët që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Republika madje tërhoqi ambasadorin e saj nga Moska. Ndër të tjera, Lituania mbylli edhe përfaqësinë ruse në Klaipeda. 

Nga Konigsberg në Kalingrad

Nga rruga, rajoni i Kaliningradit strategjikisht  konsiderohet nga Rusia shumë e rëndësishme. Edhe pse ka një sipërfaqe prej vetëm 15.100 kilometrash katrorë, aty ndodhen raketa ISkander që kanë aftësinë të bartin koka bërthamore, , të cilat janë një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes së Rusisë. Veç kësaj aty janë dislokuar forca të mëdha ushtarake. Kalingradi është qendër e flotës baltike ruse dhe korpusit të 11 të armatës ruse.  

Por duhet theksuar se sulmi rus në këtë shtet është pak i sigurt sepse kjo do të aktivizonte nenin 5 të marrëveshjes së përbashkët të mbrojtjes së NATO-së, që nënkupton fillimin e luftës botërore.   

Bashkimi Sovjetik e mori  zonën e Kalingradit  nga Gjermania në fund të Luftës së Dytë Botërore. Konigsberg i atëhershëm ishte pjesë e Gjermanisë, dhe më parë Republika e Vajmarit dhe Mbretëria e Prusisë. Njëherë e një kohë, në mesin e shekullit të 18-të me Luftën Shtatëvjeçare, qyteti ishte nën pushtimin e Perandorisë Ruse, por shpejt u kthye në Prusi.

Në çdo rast, Gjermania u detyrua të hiqte dorë nga pjesë të mëdha të vendit të saj në fund të Luftës së Dytë Botërore. Në Potsdam, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara ia dhanë pa diskutim këtë territor sovjetikëve, të cilët kishin pushtuar atje disa muaj më parë.

Konferenca e Potsdamit u mbajt në verën e vitit 1945, pak pasi Gjermania ra në duart e forcave sovjetike, britanike dhe amerikane. Stalini ishte i vendosur të hakmerrej ndaj Gjermanisë në lindje, dhe kryeministri britanik Winston Churchill dhe presidenti i SHBA-së Harry Truman ranë dakord që Gjermania të humbiste një pjesë të territorit të saj.

Pse i duhej Stalinit Kaliningrad? Para së gjithash, ai mori një port që nuk do të kërcënohet nga akulli i përhershëm. Ishte shumë e rëndësishme për marinën dhe tregtinë sovjetike. Sipas analistëve, përmes Kaliningradit, BRSS mori vendndodhjen e përsosur për të nisur një sulm ose për t’u tërhequr. Duke kontrolluar këtë qytet, sovjetikët ndiheshin më të sigurt.

Në Konferencën e Teheranit në vitin 1943, Stalini tha se Rusia nuk kishte një port në Detin Baltik që mund të funksiononte gjatë gjithë vitit. “Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për një pjesë të Prusisë Lindore dhe portin e Koenigsberg, si dhe Memel (tani qyteti lituanez i Klapeida) ” . Ai shtoi se historikisht është një vend sllav.

Ajo që donte ishte të kthente një qytet tërësisht gjerman në rus, siç është sot Kaliningrad. Para fillimit të luftës, qyteti numëronte 375 mijë banorë, ndërsa përfundimin e luftës e priste me më pak se 65 mijë. Gjermanët që mbetën, sipas të dhënave historike, u përballën me abuzim dhe skllavëri gjatë viteve në vijim.

Tashmë në vitin 1946, qyteti u riemërua Kaliningrad dhe u emërua pas Mikhail Kalinin, një revolucionar bolshevik që kishte një vend të rëndësishëm në Revolucionin e Tetorit. I.KRASNIQI

Go to TOP