ShTRU-qeverisë: Nëse nuk hiqen akcizat ose TVSh, transportuesit para falimentimit
Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve kërkon nga ekzekutivi qendror të heq akcizën për derivate të naftës apo lirimin nga TVSh. Kjo pasi shumë kompani janë në prag të falimentimit për shkak të ngritjes së çmimeve të derivateve të naftës.
Kjo kërkesë ka dalë nga një mbledhje e jashtëzakonshme e Këshilli Drejtues i Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve, ku është diskutuar për vështirësitë dhe pasojat e theksuara që po i bartin operatorët e këtij sektori nga gjendja e rënduar në vendin tonë.
“Tash e një kohë ky sektor është ballafaquar me vështirësi të shumta duke filluar nga pandemia Covid-19, për të vazhduar pastaj me problemet tjera përcjellëse nga mos përkrahja dhe mungesa e subvencioneve e deri më tani tek problemet e ngritjes drastike të çmimeve të derivateve të naftës në Kosovë”, tha kryetari I Shoqatës Ruzhdi Kurtishaj.
Si përfundim ai thotë se Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve ka kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës që për një periudhë të caktuar kohore të hiqet akciza për furnizimin me derivatet e naftës për sektorin e transportit rrugor të udhëtarëve me autobusë apo lirimin nga TVSh të furnizimit me derivatet e naftës, deri në normalizimin e situatës së krijuar. Miratimi i këtyre kërkesave do t’i ndihmonte kompanitë që janë në prag të falimentimit dhe njëkohësisht do të mbronte interesin publik të qytetarëve si masë parandaluese për rritjen e çmimit të biletave.
