Mehaj takohet me ambasadorin e Norvegjisë, flasin për anëtarësimin e Kosovës në NATO
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj është takuar sot me ambasadorin e Norvegjisë Jens Erik Grondahl, më të cilin kanë diskutuar për zhvillimet aktuale gjeopolitike në Evropë.
Mehaj, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se gjatë takimit mes tij dhe ambasadorit Grondahl, është biseduar për ndikimin e që ka agresioni i Rusisë mbi Ukrainën, në aspektin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
Tutje Mehaj ka shtuar se si ka kërkuar mbështetjen e Norvegjisë, në synimin e Kosovës për anëtarësimin e saj në NATO.
Lexoni postimin e plotë:
Norvegjia vazhdon mbështetjen e vendit tonë edhe në sistemin e sigurisë dhe mbrojtjes, si një ndër partnerët tanë kryesor.
Në takimin e sotëm me mikun, ambasadorin e Norvegjisë, Jens Erik Grondahl, diskutuam për zhvillimet aktuale gjeopolitike në Evropë pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë, si dhe ndikimit të tyre në aspektin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.
Gjithashtu diskutuam për shkallën e realizimit të projekteve të përbashkëta në proces dhe atyre të planifikuara në të ardhmen.
Me Ambasadorin Grondahl gjithashtu, u pajtuam për intensifikimin e angazhimit tonë në të ardhmen në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe më gjerë.
Bazuar në momentumin e ri gjeopolitik, nga Ambasadori Grondahl kërkova mbështetjen e Norvegjisë, si një ndër vendet themeluese të Aleancës Veriatlantike, në synimin tonë për anëtarësim të përshpejtuar të Republikës së Kosovës në NATO.
