Kërkohet paraburgim për personin që kanosi Ardian Gjinin
Prokuroria Themelore e Gjakovës ka kërkuar nga gjykata kompetente caktimin e masës së paraburgimit ndaj personit me inicialet A.S., nën dyshimin se ka kanosur kreun e Komunës së Gjakovës Ardian Gjini.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Yllka Juniku-Shehu.
“Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit A.S., në Gjykatën kompetente në Gjakovë, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Kanosje””, tha Juniku Shehu.
Për rastin ka reaguar vetë kryetari Ardian Gjini në profilin e tij në Facebook, sipas tij i dyshuari ka ardhë në korridor dhe e ka ngritë zërin ndaj tij.
“Duhet të sqaroj për të gjithë se për çfarë do fjale fyese apo ton kërcënues ndaj zyrtarëve publik të zgjedhur ose shërbyesi civil, duhet të veproj ligji”, ka shkruar Gjini në FB.
Reagimi i tij i plotë:
Meqenëse të gjitha mediat janë të interesuara për rastin e ndalimit të një qytetari për kanosje në objektin e komunës sqaroj si në vijim:
Një qytetar ka ardhur në objektin e komunës dhe në korridor ka filluar të ngris zërin dhe të përdor fjalë kërcënuese. Për këtë rast është lajmëruar policia e cila ka verifikuar kamerat e sigurisë dhe zërin dhe me sa jam unë në dijeni e ka ndaluar personin.
Duhet të sqaroj për të gjithë se për çfarë do fjale fyese apo ton kërcënues ndaj zyrtarëve publik të zgjedhur ose shërbyesi civil, duhet të veproj ligji.
