Mediat raportojnë se Moska po i kërkon ndihmë ushtarake Pekinit

Rusia po i kërkon Kinës ndihmë ushtarake dhe ekonomike, kanë raportuar gazetat Financial Times dhe New York Times.

Moska dëshiron që Pekini t’i ofrojë furnizime ushtarake që t’i përdorë në Ukrainë, shkroi Financial Times.

Duke cituar zyrtarë të paidentifikuar amerikanë, kjo gazetë raportoi se Rusia që prej fillimit të pushtimit të Ukrainës i ka kërkuar Kinës pajisje. Zyrtarët nuk kanë pranuar të specifikojnë se çfarë pajisjes po kërkon Rusia nga Kina.

Në artikullin e Financial Times thuhet se ka tregues që Kina mund të jetë e gatshme t’i ndihmojë Rusisë.

Ndërkaq, në një artikull të New York Times, që ka cituar zyrtarë amerikanë, pretendohet se Rusia po kërkon ndihmë ekonomike në mënyrë që të zbusë ndikimin e sanksioneve perëndimore.

Deri më tani, Kina ka tentuar që ta paraqesë veten neutrale sa i përket luftës Rusi-Ukrainë dhe nuk e ka dënuar pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.

Të hënën, këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan pritet që të mbajë takime në Rmë me zyrtarin kryesor të politikës së jashtme kineze, Yang Jiechi.

Duke folur për NBC të dielën, Sullivan tha se Shtetet e Bashkuara do të sigurohen “që Kina, apo kushdo tjetër” nuk do të kompensojë humbjet ekonomike të Rusisë.

ShBA-ja, Bashkimi Evropian dhe shtete të tjera kanë vendosur sanksione të ashpra kundër Rusisë, pasi Moska më 24 shkurt nisi pushtimin e Ukrainës.

Go to TOP