“200 mercenarë në Ukrainë për të luftuar rusët”- Moska thërriti atasheun kroat, Denis Seler: Për të qeshur, mendova se ishin njerëz serioz

Rusia ka thirrur atasheun kroat në Ministrinë e Mbrojtjes të enjten. Mediat kroate raportojnë se Moska thirri atasheun pas deklaratave se 200 mercenarë kroatë kishin shkuar për të luftuar në Ukrainë, tha Igor Konashenkov, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes në Rusi.

“Ne duam t’i sjellim në vëmendjen atasheut se jemi në dijeni që rreth 200 mercenarë kroatë ka shkuar në Ukrainë”, raportohet se tha Konashenkov.

Agjencia ruse e lajmeve Interfax citoi zëdhënësin rus: “Javën e kaluar, rreth 200 mercenarë nga Kroacia shkuan në Ukrainë dhe iu bashkuan batalionit nacionalist ukrainas në pjesën juglindore të vendit. Atasheu i mbrojtjes u informua për aktivitetet e paligjshme të shtetasit kroat Denis Seler, i cili mori pjesë edhe në luftimet në Ukrainën juglindore në vitin 2015 dhe po bashkon njësitë e mercenarëve kroatë për t’u dërguar në Ukrainë.”

Ndërkohë mësohet se atasheu iu përgjigj se “as Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë dhe asnjë institucion tjetër shtetëror kroat nuk ka lidhje me individë që mund të jenë në Ukrainë, si edhe nuk kanë informacione për këta individë”.

Seler, dikur udhëheqës i Bad Blue Boys, grupi ultras i Dinamo Zagrebit, tha se pretendimet ruse ishin “për të qeshur”.

“Mendova se janë njerëz seriozë. Në bazë të çfarë informacioni e thonë këtë? Këto janë lëvizjet e njerëzve të dëshpëruar”, tha Seler për Index.

“Në Kroaci nuk mund të mblidhen 200 njerëz për të protestuar për paga më të larta, e lëre më për diçka tjetër”, shtoi ai.

Një hetim i BIRN në vitin 2019 raportoi se, në 2014 dhe 2015, Seler ishte mesin 20-30 kroatëve që luftuan në batalionin Azov të ekstremit të djathtë kundër rebelëve të mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore.

Fundjavën e kaluar, disa media kroate raportuan për vullnetarë që shkonin në Ukrainë për të luftuar rusët, megjithëse është e paqartë nëse ata ishin mercenarë me pagesë.

“Ukraina na ndihmoi në vitin 1991 dhe pas tërmeteve në Zagreb dhe Banovinë. Kjo është arsyeja pse ne do të ndihmojmë ukrainasit në luftë”, tha një vullnetar për të përditshmen Vecernji list, duke iu referuar luftës së pavarësisë së Kroacisë kundër Jugosllavisë së udhëhequr nga serbët në vitet 1990.

Kryeministri Andrej Plenkoviç tha të dielën se ai nuk kishte informacion për vullnetarë apo mercenarë që kanë shkuar në Ukrainë.

“Çdo largim në Ukrainë është një akt personal dhe një përgjegjësi personale,” tha ai.

Go to TOP