Ministrja Gërvalla takoi raportuesen për Kosovë në Parlamentin Evropian Viola Von Cramon

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës znj. Donika Gërvalla priti sot në takim raportuesen për Kosovë në Parlamentin Evropian znj. Viola Von Cramon.

Në kuadër të këtij takimi ministrja Gërvalla e falënderoi për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe po ashtu diskutuan tema aktuale, me theks të veçantë situatën në Ukrainë.

Ministrja Gërvalla tregoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për t’i mbrojtur vlerat e përbashkëta demokratike evropiane duke iu bashkuar BE-së dhe ShBA-ve për vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe financiare ndaj Federatës Ruse, vendimin për t’i mirëpritur gazetarët ukrainas përmes bashkëpunimit me Federatën Evropiane të Gazetarëve dhe Qendrën Evropiane për Liri të Medias dhe Shtypit dhe për t’iu ofruar mbështetje financiare.

Po ashtu, u diskutua rreth hapave konkret që Institucionet e Republikës së Kosovës kanë ndërmarrë për t’u solidarizuar me popullin e Ukrainës dhe për t’iu bashkuar botës demokratike në dënimin e agresionit ushtarak të Federatës Ruse në Ukrainë. /Kosova.info/

Go to TOP