Ambasadori rus në Beograd i jep një mesazh Vuçiqit pasi ky foli për ngjarjet në Ukrainë

Ambasadori rus në Beograd, Alexander Bocan-Kharchenko tha se Rusia respekton interesat kombëtare të Serbisë dhe e kupton pozicionin e saj sipas tij nën presion për të vendosur sanksione ndaj Moskës.

Siç shkruajnë mediat serbe, Kharchenko thekson se Moska nuk kërkon asgjë nga Beogradi, duke ditur, siç thotë ai, qëndrueshmërinë e presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe qëndrimin e tij themelor në çështjet kyçe.

Bocan-Kharchenko tha për Tanjug se “Perëndimit nuk i interesojnë interesat e të tjerëve, edhe pse janë vende kandidate për anëtarësim në BE dhe se ai nuk mendon për Serbinë, popullin e saj dhe pasojat e mundshme të vendosjes së sanksioneve”.

“Është e rëndësishme për ta që çdo vend t’i bashkohet zgjidhjes së tyre politike. Rusia është mësuar të bëjë presion, por e kupton që ka presion ndaj Serbisë dhe nuk kërkon asgjë nga Serbia, sepse dihet se si janë zhvilluar marrëdhëniet tona në vitet e fundit, të cilat janë në nivelin e bashkëpunimit strategjik dhe partneritetit”, tha Kharchenko.

Ai thekson se ekziston një dialog konfidencial dhe gjithëpërfshirës mes presidentëve të Rusisë dhe Serbisë, Vladimir Putin dhe Aleksandar Vuçiq, bazuar në respektin dhe “besimin e thellë” reciprok dhe se Serbia ka interesat e saj kombëtare, për të cilat, thotë ai, presidenti Vuçiq ka folur.

“Ne respektojmë interesin kombëtar serb dhe dihet, bazuar në bashkëpunimin tonë dhe sjelljen e Beogradit, se Serbia respekton interesin kombëtar të Rusisë. Ne nuk kërkojmë asgjë duke ditur konsistencën e presidentit serb dhe qëndrimin e tij themelor për çështjet kyçe të zhvillimit”, tha ai.


Go to TOP